TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Shkurt 2026, 14:14

Macron sulmon platformat amerikane dhe algoritmet kineze: Truri i fëmijëve nuk është në shitje

Shkruar nga Pamfleti

Sipas autoriteteve franceze të shëndetit publik, platformat si TikTok, Snapchat dhe Instagram lidhen me efekte të dëmshme te adoleshentët, përfshirë bullizmin kibernetik dhe ekspozimin ndaj dhunës, çka e forcon argumentin për ndërhyrje shtetërore në përdorimin e tyre nga të miturit.

Macron sulmon platformat amerikane dhe algoritmet kineze: Truri i
Emmnuel Macron

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se Franca po shkon drejt ndalimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, duke e konsideruar këtë masë si të domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit publik dhe të sigurisë së të miturve.

Macron theksoi se përdorimi i mediave sociale nga fëmijët dhe adoleshentët ka arritur nivele shqetësuese. Sipas tij, koha mesatare që një adoleshent kalon para ekranit shkon mbi katër orë në ditë, shpesh pa asnjë kontroll apo mbikëqyrje prindërore. Ai paralajmëroi se ekspozimi i hershëm ndaj platformave dixhitale rrit rrezikun për përmbajtje të dhunshme dhe materiale të dëmshme.

Presidenti francez nënvizoi se përgjegjësia për këtë çështje nuk mund t’u lihet vetëm prindërve, duke argumentuar se ndikimi i algoritmeve dhe i platformave është shumë më i madh sesa mundësia reale e kontrollit familjar. Sipas tij, kufizimi i aksesit para moshës 15 vjeç lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e zhvillimit mendor dhe emocional të fëmijëve.

“Truri i fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk është në shitje. Emocionet e tyre nuk janë në shitje dhe as për t’u manipuluar as nga platformat amerikane, as nga algoritmet kineze,” u shpreh ai.

Në këtë kuadër, Macron bëri të ditur se i ka kërkuar qeverisë të përdorë një procedurë të përshpejtuar ligjore, me synimin që projektligji të miratohet nga Parlamenti dhe Senati para fillimit të vitit të ardhshëm shkollor, në shtator. Ai theksoi se të dhënat, emocionet dhe vëmendja e fëmijëve nuk duhet të trajtohen si mall tregu apo si objekt manipulimi nga platformat dixhitale.

Nisma mbështetet edhe në zhvillimet e fundit ligjore në Francë. Në fund të janarit, Asambleja Kombëtare miratoi një projektligj që parashikon ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, duke përjashtuar platformat arsimore dhe enciklopeditë online. Ligji u kërkon platformave të vendosin mekanizma të detyrueshëm për verifikimin e moshës dhe zgjeron ndalimin e përdorimit të telefonave inteligjentë edhe në shkollat e mesme.

Autoritetet synojnë që masat të zbatohen fillimisht për llogaritë e reja, duke nisur nga viti shkollor 2026. Franca do të bëhej kështu një nga vendet e para që vendos kufizime të tilla, pas Australisë, e cila ka ndërmarrë një hap të ngjashëm për të miturit nën 16 vjeç.

Sipas autoriteteve franceze të shëndetit publik, platformat si TikTok, Snapchat dhe Instagram lidhen me efekte të dëmshme te adoleshentët, përfshirë bullizmin kibernetik dhe ekspozimin ndaj dhunës, çka e forcon argumentin për ndërhyrje shtetërore në përdorimin e tyre nga të miturit.

truri i fëmijëve nuk është në shitje

Lini një Përgjigje