
Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik shprehu mbështetjen e tij ndaj serbëve në Kosovë, teksa akuzoi autoritetet e Prishtinës se po përpiqen t'i dëbojnë serbët nga Kosova përmes represionit.
Ai shtoi gjithashtu se gatishmëria dhe morali i ushtrisë serbe për të mbrojtur serbët në Kosovë është absolutisht i lartë.
“Ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të ndihmuar serbët në Kosovë dhe këtë e bëjmë përmes projekteve të ndryshme, por jam po aq krenar për faktin se Serbia është e gatshme të mbrojë sigurinë e serbëve dhe se ushtria serbe është absolutisht e gatshme ta bëjë këtë”, tha Dodik, raporton Danas.
Kujtojmë se dy ditë më parë, policia e Kosovës u përplasë me serbët që nuk lejonin kryetarët e rinj të futeshin në ndërtesat komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq. Autoritetet kosovare u detyruan më pas të përdorin gaz lotsjellës, tym dhe bomba shokuese kundër serbëve, të cilët tentuan të pengojnë policinë të hyjë në objektet komunale.