TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 9 Dhjetor 2025, 13:42

Planet e reja të SHBA-së për politikën e jashtme, Trump dy prioritete kryesore

Shkruar nga Pamfleti
Planet e reja të SHBA-së për politikën e jashtme, Trump dy
Trump, Putin dhe Xi Jinping

Dy dokumente kyç të publikuara në Uashington në ditët e fundit paraqesin dy rrugë të ndryshme të politikës së jashtme, duke u dhënë aleatëve dhe armiqve të Shteteve të Bashkuara mjaft arsye për reflektim, teksa shqyrtojnë çështje madhore strategjike.

Strategjia e Sigurisë Kombëtare (NSS) e Shtëpisë së Bardhë, me 33 faqe, e publikuar javën e kaluar, tërhoqi vëmendjen me qasjen “Amerika e Para”, sipas së cilës, “ditët kur SHBA-ja mbante të gjithë rendin botëror kanë marrë fund”.

Përmes kësaj strategjie u kritikua Bashkimi Evropian dhe aty u fol për rivendosjen e “stabilitetit strategjik” me Rusinë  gjë që u lavdërua nga Moska.

Ndërkohë, projektligji për mbrojtjen me 3.086 faqe, i quajtur Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), synon të sigurojë financimin për angazhimet ushtarake të Uashingtonit në Evropë dhe të përqendrojë inteligjencën në bashkëpunimin ushtarak të Rusisë me Kinën dhe Korenë e Veriut.

“Ka vizione të ndryshme”, tha për Radion Evropa e Lirë Olivia Enos, hulumtuese e lartë në Institutin Hudson, duke shtuar se Kongresi amerikan po e kundërshton strategjinë e NSS-së.

“Por, mendoj se është një rrugë e gjatë për të kuptuar nëse, e dini, buxheti do të financohet plotësisht”, tha ajo.

Prioritetet e Trumpit: Amerika dhe Kina

Pjesa në NSS për prioritetet rajonale nis me Hemisferën Perëndimore, përpara se të kalojë në Azi, Evropë dhe Lindjen e Mesme.

“Strategjia Kombëtare e Sigurisë e Trumpit është një korrigjim shumë i nevojshëm i ‘strategjive’ prej dekadash që… e angazhuan SHBA-në në një koncept të tejzgjatur të strategjisë kombëtare”, shkroi Alexander Gray, i cili ka shërbyer në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë administratës së parë të Trumpit.

Në një koment për Këshillin Atlantik, ai tha se fokusi në Hemisferën Perëndimore ishte “i sinqertë për objektivat thelbësore të Shteteve të Bashkuara: sigurimin e atdheut”.

Vëzhgues të tjerë kanë sugjeruar po ashtu se renditja në listë pasqyron prioritetet e Shtëpisë së Bardhë.

“Vendimi për t’i dhënë një peshë të madhe politikës së jashtme në Hemisferën Perëndimore padyshim lidhet me një nga prioritetet e tyre kryesore të brendshme, që është luftimi i imigracionit”, tha Enos.

Enos tha se qasja e NSS-së ndaj Kinës nxitet po ashtu nga shqetësimet e politikës së brendshme. “Gjithçka ka të bëjë me riindustrializimin. Gjithçka ka të bëjë me sigurinë ekonomike”, tha ajo, duke vënë në pah mungesën e komenteve, për shembull, për shkeljen e të drejtave të njeriut.

NSS-ja është e pakompromis për këtë çështje, duke deklaruar se “ne synojmë raporte të mira dhe marrëdhënie paqësore tregtare me vendet e botës, pa u imponuar atyre ndryshime demokratike apo ndryshime të tjera shoqërore”.

Teksa NSS-ja synon të “ribalancojë” raportet ekonomike me Kinën, dokumenti gjithashtu nuk përmend aleancën e Pekinit me Moskën.

Për dallim nga NSS-ja, NDAA-ja kërkon që agjencitë amerikane të inteligjencës të ofrojnë “një vlerësim të bashkëpunimit ushtarak mes Rusisë dhe Republikës Popullore të Kinës, përfshirë tregtinë e mbrojtjes, stërvitjet e përbashkëta ushtarake dhe këmbimin e inteligjencës ushtarake”.

Si NSS-ja ashtu edhe NDAA-ja ofrojnë mbështetje të fuqishme për Tajvanin.

planet e reja të shba-së për politikën e jashtme

Lini një Përgjigje