Qeveria gjermane nuk do të autorizojë asnjë eksport të pajisjeve ushtarake që mund të përdoren në Rripin e Gazës deri në njoftim tjetër, tha sot kancelari Friedrich Merz.
Pas planait të Izraelit për të zgjeruar operacionet ushtarake në Gaza, Merz tha se Gjermania është “thellësisht e shqetësuar” për vuajtjet e vazhdueshme të popullsisë civile në Rripin e Gazës, sipas BBC.
“Me ofensivën e planifikuar, qeveria izraelite mban përgjegjësi edhe më të madhe se më parë për furnizimin e tyre”, tha ai.
“Ajo duhet të lehtësojë qasjen e plotë për furnizimet humanitare, duke përfshirë organizatat e OKB-së dhe institucionet e tjera joqeveritare. Pas hapave të duhura të ndërmarra ditët e fundit, Izraeli duhet të vazhdojë të përmirësojë situatën humanitare në Gaza në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme”.
Merz tha se qeveria gjermane gjithashtu i bën thirrje Izraelit që të mos ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt aneksimit të Bregut Perëndimor.
Më parë, kabineti i sigurisë së Izraelit aprovoi planin e kryeministrit, Benjamin Netanyahu për pushtimin e plotë të Gazës.
Një milion palestinezë që kanë mbijetuar nën rrethim, dëbime dhe uri, pritet të dëbohen sërish nga Gaza City, qyteti kryesor i Rripit të Gazës. Sipas zyrtarëve ushtarakë afër qeverisë izraelite, plani i kryeministrit Benjamin Netanyahu për pushtimin gradual dhe total të territorit do të nisë nga Gaza City në veri dhe do të përhapet më pas në kampet refugjate në zonat qendrore.
Operacioni parashikon dy faza: fillimisht, dhënien e urdhrit për evakuimin e popullsisë nga Gaza City, ku jeton ende gjysma e banorëve, dhe më pas krijimin e “kampeve humanitare” me spitale dhe tendopola për të strehuar të zhvendosurit. Megjithatë, mbetet e paqartë se ku mund të realizohen këto kampe, pasi pjesa e mbetur e Rripit është mbipopulluar dhe shkatërruar nga lufta.
Lini një Përgjigje