TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Nëntor 2025, 08:25

"Plani prej 28 pikësh, dëshirat e Putinit"/ SHBA presion Ukrainës, akuza të rënda ndaj Sekretarit të Shtetit

Shkruar nga Pamfleti
"Plani prej 28 pikësh, dëshirat e Putinit"/ SHBA presion
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se plani prej 28 pikësh për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, i kritikuar gjerësisht si i favorshëm për Rusinë, është hartuar nga SHBA-të.

Qëndrimi i tij vjen pasi disa senatorë thanë se Rubio u kishte treguar se drafti, të cilin njëri prej tyre e cilësoi si “listë dëshirash ruse”, nuk pasqyronte politikën zyrtare të Uashingtonit. Rubio më vonë e mohoi këtë version dhe theksoi se dokumenti është amerikan, i bazuar në “kontribute” nga të dyja palët, Rusia dhe Ukraina.

Rubio e dha këtë deklaratë ndërsa po udhëtonte drejt Gjenevës, ku sot priten bisedime me zyrtarë ukrainas dhe europianë për planin, të cilin presidenti Donald Trump kërkon që Kievi ta miratojë sa më shpejt.

Skepticizëm në Europë dhe kundërshti ndaj pikave kryesore të draftit
Edhe pse dokumenti nuk është bërë publik, detaje të tij janë rrjedhur gjerësisht. Drafti parashikon që Ukraina të tërheqë trupat nga zona lindore që Rusia nuk ka arritur t’i marrë me forcë, si dhe të reduktojë madhësinë e ushtrisë. Këto pika kanë shkaktuar reagime të ashpra nga aleatët e Ukrainës.

Senatori republikan Mike Rounds tha të shtunën se Rubio u kishte thënë ligjvënësve se plani nuk ishte qëndrim amerikan dhe se ishte prezantuar nga “dikush që përfaqësonte Rusinë” tek i dërguari i Trumpit jashtë vendit, Steve Witkoff. Por Departamenti i Shtetit reagoi menjëherë. Zëdhënësi Tommy Pigott e quajti deklaratën e Rounds “plotësisht të pavërtetë”, duke theksuar se plani është hartuar nga SHBA-të.

Rubio vetë publikoi një qëndrim në rrjete sociale. “Propozimi i paqes është hartuar nga SHBA-të”, tha ai.

Presidenti Trump ka thënë se dokumenti nuk është një “ofertë përfundimtare”, por ka këmbëngulur se Zelensky “do të duhet” ta miratojë. Kur detajet e para dolën në media, presidenti ukrainas paralajmëroi se vendi po kalon “njërën nga periudhat më të vështira” për shkak të presionit amerikan.

Aleatët europianë: Plani e lë Ukrainën të pambrojtur

Liderët e vendeve aleate të Ukrainës në Europë, në një deklaratë të përbashkët në samitin e G20 në Afrikën e Jugut, e kritikuan draftin duke thënë se ai “do ta linte Ukrainën të cenueshme ndaj sulmeve të mëtejshme”. Ata pranuan se plani përmban elementë “të rëndësishëm për një paqe të qëndrueshme”, por theksuan se “kërkon punë shtesë”, sidomos për çështjet e kufijve dhe kufizimin e ushtrisë ukrainase.

Deklarata u nënshkrua nga liderët e Kanadasë, Finlandës, Francës, Irlandës, Italisë, Japonisë, Holandës, Spanjës, Britanisë, Gjermanisë dhe Norvegjisë, si edhe dy zyrtarë të lartë të BE-së.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se “plani nuk mund të jetë thjesht një propozim amerikan”, ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz paralajmëroi se “ende jemi larg një zgjidhjeje të mirë për të gjithë”.

Kryeministri britanik Keir Starmer bisedoi të shtunën me Zelensky-n dhe Trump-in, duke e informuar presidentin amerikan për qëndrimet europiane mbi draftin.

Çfarë parashikon plani?
Sipas rrjedhjeve në media, plani parasheh:

• Tërheqjen e trupave ukrainase nga pjesa lindore e Donetskut që kontrollohet ende nga Kievi;

• Pranimin e kontrollit de facto rus në Donetsk, Luhansk dhe Krimenë e aneksuar në vitin 2014;

• “Ngrirjen” e vijës së frontit në Kherson dhe Zaporizhia;

• Garanci të paqarta sigurie për Ukrainën;

• Angazhime që Rusia “të mos pushtojë fqinjët” dhe NATO “të mos zgjerohet më tej”.

Ndërkohë, Zelensky njoftoi se kreu i zyrës së tij, Andriy Yermak, do të udhëheqë ekipin ukrainas të negociatave për çdo marrëveshje të ardhshme, përfshirë edhe ato ku Rusia mund të marrë pjesë.

“Përfaqësuesit tanë dinë si të mbrojnë interesat kombëtare të Ukrainës dhe se çfarë duhet bërë për të parandaluar një agresion tjetër rus”, deklaroi ai.

 

akuza të rënda ndaj sekretarit të shtetit

Lini një Përgjigje