Ursula von der Leyen paralajmëroi rritjen e tensioneve mes BE-së dhe SHBA-së, duke theksuar nevojën që Evropa të forcojë pavarësinë strategjike, veçanërisht në siguri dhe mbrojtje. Ajo nënvizoi rëndësinë e samitit të liderëve evropianë për mbështetjen e Ukrainës dhe theksoi se rënia ekonomike është një trend global që prek si Evropën ashtu edhe SHBA-në.
Tensionet mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara po bëhen gjithnjë e më të dukshme, duke marrë formën e një përplasjeje të ftohtë mes dy aleatëve tradicionalë.
Këtë e ka bërë të qartë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila paralajmëron se realiteti global ka ndryshuar rrënjësisht dhe se sot skena ndërkombëtare dominohet nga aktorë “grabitqarë”.
Në këtë kontekst, ajo i është përgjigjur drejtpërdrejt edhe kritikave të Donald Trump, duke theksuar se rënia ekonomike nuk prek vetëm Evropën, por edhe SHBA-në.
Gjatë fjalës së saj në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg, Von der Leyen nënvizoi rëndësinë vendimtare të samitit të liderëve evropianë që nis nesër në Bruksel. Ky takim, sipas saj, pritet të jetë kyç si për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës, ashtu edhe për përballjen me kërcënimin gjithnjë e më të hapur nga Rusia.
Presidentja e Komisionit Evropian theksoi se Evropa duhet të përshpejtojë hapat drejt pavarësisë strategjike, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Ajo nënvizoi se kontinenti nuk mund të mbështetet më te të tjerët për mbrojtjen e tij dhe se marrja e përgjegjësisë për sigurinë evropiane nuk është më zgjedhje, por domosdoshmëri.
Sipas Von der Leyen, sfida nuk është vetëm politike apo ushtarake, por edhe ekonomike. Ajo kujtoi se pesha e Evropës në Prodhimin e Brendshëm Bruto global ka rënë nga 25 për qind në vitin 1990 në rreth 14 për qind sot. Megjithatë, ajo theksoi se i njëjti trend vërehet edhe në Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë kaluar nga 22 për qind e PBB-së globale në vitin 1990, në po aq sa 14 për qind aktualisht. Sipas saj, kjo tregon se bëhet fjalë për një ndryshim strukturor të ekonomisë botërore dhe jo për dështim të njërit apo tjetrit breg të Atlantikut.
Në lidhje me mbështetjen financiare për Ukrainën, Von der Leyen rikujtoi se Komisioni Evropian ka paraqitur dy alternativa, një skemë të bazuar në përdorimin e aseteve dhe një tjetër përmes kredive të Bashkimit Evropian. Ajo theksoi se zgjedhja duhet të bëhet pa vonesa në Këshillin Evropian që mblidhet këto ditë, duke paralajmëruar se çdo shtyrje e vendimit do të përbënte një humbje.
Evropa po shkatërrohet, drejtohet nga njerëz të dobët
Presidenti amerikan Donald Trump javën e kaluar ka lëshuar kritika të ashpra ndaj Bashkimit Evropian dhe liderëve të tij, në një intervistë për Politico.
Ai e ka përshkruar kontinentin si një grup kombesh “në proces kalbjeje”, të udhëhequr nga njerëz “të dobët”.
Trump akuzoi udhëheqësit evropianë se nuk kanë vizion dhe nuk marrin vendime të forta.
“Mendoj se ata janë të dobët. Mendoj se ata nuk dinë çfarë të bëjnë. Evropa nuk di çfarë të bëjë”, tha Trump.
Ai vlerësoi Hungarinë dhe Poloninë për politikat e tyre të ashpra ndaj migracionit, ndërsa shprehu shqetësimin se vendet e tjera të kontinentit po rrezikohen sipas tij nga “hyrja e njerëzve të pakontrolluar dhe të paverifikuar”.
Trump paralajmëroi se Evropa do të “dobësohet rëndë” për shkak të migracionit, duke pretenduar se “njerëzit që vijnë kanë ideologji krejtësisht të ndryshme”.
Në intervistë, ai goditi sërish kundërshtarin e tij të vjetër, kryebashkiakun e Londrës, Sadiq Khan, të cilin e quajti “një katastrofë”, duke shtuar “e urrej atë që i ka ndodhur Londrës dhe Parisit.”
Sipas Trump, përpjekja e vendeve evropiane për të qenë “politikisht korrektë” është arsyeja pse ato janë “të dobëta”, ndërsa bëri thirrje që shtetet e BE-së të “nxjerrin njerëzit që kanë hyrë ilegalisht”.
Lini një Përgjigje