Bota19 Prill 2024, 15:52

Pse disa vende arabe e mbrojtën Izraelin nga sulmet e Iranit

Shkruar nga Pierre Haski

Pse disa vende arabe e mbrojtën Izraelin nga sulmet e Iranit

Për të kuptuar se çfarë është duke ndodhur midis Izraelit dhe Iranit, duhet që t’i kushtojmë vëmendje sjelljes së vendeve arabe në Lindjen e Mesme. Për herë të parë disa prej tyre morën pjesë direkt ose indirekt në mbrojtjen e shtetit hebre.

Ky rreshtim i pazakontë është rezultat i viteve të kontakteve politike, ekonomike por edhe ushtarake të inkurajuara nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë kaluar testin e parë të vërtetë. Kjo çështje do të ketë një peshë të konsiderueshme në ekuacionin e Lindjes së Mesme të së ardhmes.

Ajo është tashmë një faktor i rëndësishëm në ngurrimin e Izraelit kur të përballet me mundësinë e përgjigjes (ose mos-përgjigjes) ndaj sulmit të kryer nga Irani nëpërmjet raketave dhe dronëve. Një vend arab është përmendur tashmë: Jordania, e cila mori pjesë në aksionin kolektiv në përgjigje të sulmit të Teheranit.

Thuhet se forcat ajrore jordaneze shkatërruan deri në 20 për qind të raketave dhe dronëve të lëshuar nga Irani mbrëmjen e 13 prillit. Për më tepër, ato u kapën teksa kalonin në hapësirën ajrore të Jordanisë nga avionët amerikanë, britanikë dhe izraelitë.

Zyrtarisht, Jordania mbrojti vetëm hapësirën e saj ajrore. Por fakti është se mbretëria Hashemite, ku mbretëresha dhe një pjesë e popullsisë janë palestinezë, mbrojti sigurinë e Izraelit. Por Jordania nuk është i vetmi vend që ka ndërhyrë në mbrojtje të Izraelit.

Duke cituar burime amerikane, gazeta “Wall Street Journal” shkroi se Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të marrin pjesë duke ofruar informacione për Shtetet e Bashkuara dhe duke marrë pjesë në mbrojtjen e Izraelit. Radarët e tyre dhe mjetet e mbledhjes së inteligjencës kanë shkëmbyer të dhëna gjatë orëve më kritike të sulmit.

Është diçka që nuk është parë më parë, por nuk ka pasur asgjë të improvizuar. Tek e fundit e gjithë kjo ndodhi në një kohë kur ushtria izraelite po e vazhdon luftën e saj të pamëshirshme në Gaza, e dënuar nga të njëjtat vende që sapo e kanë ndihmuar.

Për ta kuptuar situatën duhet të kthehemi pas në kohë, tek kontaktet e para që çuan në nënshkrimin e Marrëveshjes së Abrahamit në vitin 2020 midis Izraelit dhe disa vendeve arabe, si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini. Nëpërmjet këtyre kontakteve janë krijuar lidhje të ngushta në fushën e sigurisë.
Madje edhe me Arabinë Saudite, e cila megjithatë ende nuk ka nënshkruar ende një marrëveshje të ngjashme me Izraelin. Në marsin e vitit 2022, gjenerali amerikan Frank McKenzie organizoi një takim në Sharm el Sheikh midis shefave të shtabit të Izraelit dhe disa vendeve arabe, përfshirë Arabinë Saudite dhe Emiratet.

Objektivi ishte koordinimi i mbrojtjes ajrore përballë kërcënimit të mundshëm nga Irani. Në fakt kjo nuk është një aleancë zyrtare dhe as një lloj NATO-je e Lindjes së Mesme, siç kanë sugjeruar disa analistë. Është ende herët për një evolucion të tillë.

Por mbetet fakti se ekziston dëshira për të mësuar të punohet së bashku. Testi i parë ndodhi pak ditë më parë dhe u kalua me sukses. Po tani? Situata nuk është aspak e thjeshtë. Asnjë vend arab nuk është i gatshëm të pranojë një sulm të drejtpërdrejtë nga Izraeli kundër Iranit.

Sepse një akt i tillë do të prishte reflektimin e solidaritetit që është shfaqur ditët e fundit falë ndikimit të drejtëpërdrejtë të amerikanëve. Për më tepër, askush, dhe secili për arsyet e veta, nuk ka ndërmend që të mbyllë njërin sy ndaj masakrës që po vazhdon në Gaza.

Prandaj, topi është në fushën e Izraelit, që do të duhet të bëjë një zgjedhje.

Nga njëra anë një reagim i fortë i Tel Avivit, që do të shkaktonte një izolim relativ në skenën ndërkombëtare si dhe një luftë të gjatë. Ose nga ana tjetër një proces politik rajonal me një tranzicion të imponuar nga çështja palestineze. Problemi është se pas sulmeve të 7 tetorit 2023 nga militantët e Hamasit, Izraeli duket se ka zgjedhur rrugën e parë./Përshtati Pamfleti nga “Internazionale”

vende arabe izraeli sulmet e iranit