Djali në mërgim i shahut të fundit të Iranit tha se komisioni i ri do të përgatisë bazën ligjore për një mekanizëm të ardhshëm të drejtësisë tranzicionale dhe hetimit të shkeljeve nga Republika Islamike…
Reza Pahlavi, djali në mërgim i shahut të fundit të Iranit, njoftoi krijimin e një komisioni të ri që synon të hedhë bazat për një komision të ardhshëm të së vërtetës në Iran dhe vendosi në krye të tij fituesen e Çmimit Nobel për Paqen, Shirin Ebadi.
Sipas agjencisë AFP, Pahlavi, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara dhe ushtron ndikim në diasporën iraniane, por nuk mban asnjë post zyrtar, deklaroi se komisioni i drejtësisë tranzicionale do të hartojë “rregullore për një komision dhe një gjykatë që do të hetojnë të vërtetën”.
Sipas princit të kurorës në mërgim, grupi do të kërkojë drejtësi për “viktimat e padrejtësisë, torturës dhe represionit nga Republika Islamike”.
Në një postim në platformën X, ai bëri të ditur se Shirin Ebadi do të drejtojë komisionin, të cilin e përshkroi si një grup “ekspertësh iranianë me përvojë nga katër breza të ndryshëm”. Ai përmendi si anëtarë edhe profesorin holandezo-iranian të së drejtës Afshin Ellian, aktivistin Iraj Mesdaghi dhe mjeken Leila Bahmani.
Pahlavi është një nga figurat drejtuese të lëvizjeve opozitare me bazë jashtë Iranit. Pozicioni i tij publik u forcua pasi ai mbështeti protestat e janarit kundër teokracisë iraniane, ku një pjesë e protestuesve kërkuan rikthimin e monarkisë së rrëzuar.
Sipas raportimeve, deri në 30 mijë iranianë u vranë gjatë goditjes së protestave nga regjimi në pushtet.
Lini një Përgjigje