
Franca përballet sërish sot me greva dhe protesta të reja në të gjithë vendin kundër planeve të presidentit, Emmanuel Macron për të rritur moshën e pensionit nga 62 në 64 vjeç. Polica ka paralajmëruar se ekziston një “rrezik shumë serioz” i dhunës në rrugë.
Protestat fillimisht ishin paqësore, por pakënaqësia u rrit kur qeveria e shtyu projektligjin në parlament pa votim në mes të marsit, dhe në ditën e fundit të protestave mbarëkombëtare të enjten, anarkistët e Bllokut të Zi thyen xhamat e dyqaneve, shkatërruan stacionet e autobusëve dhe plaçkitën një McDonald’s në Paris.
Raste dhune të ngjashme janë regjistruar edhe në qytete të tjera. Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin paralajmëroi të hënën se kishte një “rrezik shumë serioz” të dhunës në kryeqytet dhe më gjerë, raporton Reuters. Rreth 13 mijë oficerë policie do të vendosen në tubime, pak më pak se gjysma e të cilëve do të jetë në Paris.
Sipas Darmanin, organizatat ekstremiste të së majtës ekstreme, disa prej të cilave, siç tha ai, vijnë nga jashtë, “duan t’i vënë flakën Francës”. Policia ka këshilluar shitësit në Paris në pjesën e qytetit ku po zhvillohet protesta të mbyllin dyqanet sot.