Pentagoni ka vendosur të dërgojë më shumë marinsa dhe anije luftarake në Lindjen e Mesme, pas shtimit të sulmeve iraniane në Ngushticën e Hormuzit. Lajmin e raportoi Wall Street Journal, duke cituar tre zyrtarë amerikanë.
Sipas raportimit, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka miratuar një kërkesë nga Komanda Qendrore e SHBA (CENTCOM), përgjegjëse për operacionet ushtarake amerikane në rajon, për dislokimin e një grupi amfib të gatshëm për veprim, së bashku me një njësi ekspeditare të marinsave.
Zyrtarët thanë se kjo njësi zakonisht përfshin disa anije luftarake dhe rreth 5.000 marinsa. Mes forcave që po zhvendosen në rajon është edhe anija luftarake USS Tripoli, e vendosur më parë në Japoni, së bashku me marinsat që i janë caktuar.
Dy nga zyrtarët thanë se anija dhe personeli i saj janë nisur drejt Lindjes së Mesme, ndërsa marinsat amerikanë janë tashmë të pranishëm në rajon për të mbështetur operacionet kundër Iranit.
Edhe ABC News, duke cituar dy burime zyrtare amerikane, raportoi se një njësi e marinsave amerikanë e vendosur në tre anije sulmi amfib është dërguar tashmë në Lindjen e Mesme. Sipas këtij raportimi, njësia ishte e dislokuar në Japoni dhe është transferuar në rajon në kuadër të përshkallëzimit të konfliktit me Iranin.
Lini një Përgjigje