
Në vend që ta mbyllë qarkun energjetik të Rusisë në rajon, Uashingtoni i jep Kroacisë leje të furnizojë NIS-in serb deri më 15 tetor, duke dëshmuar se diplomacia amerikane luan me tolerancë selektive në emër të stabilitetit, edhe kur përfiton Moska...
Në një vendim që zbulon kompleksitetin e lojës energjetike në Ballkan, kompania shtetërore kroate JANAF ka marrë leje nga autoritetet amerikane për të vijuar furnizimin me naftë të kompanisë serbe NIS, e cila është në pronësi të Gazprom Neft, një ndër kompanitë më të fuqishme energjetike ruse dhe objekt direkt i sanksioneve të Perëndimit.

Leja është dhënë nga Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC), që funksionon në kuadër të Departamentit të Thesarit Amerikan, dhe ka afat deri më 15 tetor 2025. Në dukje një masë teknike për të respektuar kontrata ekzistuese, në thelb është një vendim që rihap një kanal të rëndësishëm të ndikimit energjetik rus në zemër të Ballkanit.
Kompania NIS, me rëndësi kritike për sistemin energjetik të Serbisë, është prej kohësh nën radarët e sanksioneve perëndimore, për shkak të strukturës së saj pronësore që lidhet direkt me shtetin rus. Megjithatë, përmes kësaj “dritareje afatshkurtër”, ajo arrin të sigurojë furnizim të pandërprerë, duke shmangur pasojat më të rënda të izolimit ekonomik. Kjo lëvizje e SHBA-së, edhe pse në kuadër të një përjashtimi teknik, vjen në një moment ku vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, po përpiqen të shkëputen nga ndikimi rus në sektorin energjetik dhe të orientojnë rrjetet drejt BE-së dhe NATO-s.
Vendimi për të lejuar furnizimin nga Kroacia nuk është vetëm ekonomik; është një sinjal diplomatik që tregon se SHBA po lë hapësira për tranzicion të kontrolluar edhe për vendet që janë thellësisht të varura nga Rusia. Por kjo lëvizje nuk është pa kosto strategjike: në praktikë, ajo i jep Serbisë një avantazh të përkohshëm, duke e lejuar të mbajë në funksion një sistem energjetik të lidhur me Lindjen, ndërkohë që në planin ndërkombëtar deklaron neutralitet apo afërsi me Perëndimin.
Për Shqipërinë, ky është një alarm i heshtur. Ndërsa Tirana po investon në projekte që e çojnë përpara drejt integrimit në rrjetet perëndimore, përmes TAP, terminalit të gazit të lëngshëm në Vlorë, apo korridoreve energjetike me Kosovën dhe Malin e Zi, vendime të tilla tregojnë se ndikimi rus në rajon jo vetëm që nuk është zhdukur, por mbijeton falë infrastrukturave të përbashkëta dhe politikave të heshtura të tolerancës.
Leja për JANAF nuk është fundi i lojës, është vetëm një kapitull i ri në përballjen e madhe për kontrollin e energjisë në Ballkan. Një përballje ku tubacionet janë po aq të rëndësishëm sa marrëveshjet politike, dhe ku vendimet e Uashingtonit ndonjëherë i japin jetë atyre që vetë dëshirojnë t’i izolojnë./Pamfleti
Lini një Përgjigje