TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Prill 2026, 14:45

Si e hëngri veten MAGA!

Shkruar nga Matthew d’Ancona
Si e hëngri veten MAGA!
Donald Trump

Lëvizja MAGA po shpërbëhet nga luftërat e egra të brendshme mes ndikuesve dhe fraksioneve që dikur e mbajtën në pushtet. Kaosi dhe përçarja ideologjike rrezikon të distancojë bazën e votuesve dhe të dëmtojë rëndë shanset e Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit.

Kontrasti nuk mund të jetë më i dhimbshëm se kaq: ndërsa SHBA-ja është përfshirë në një luftë historike kundër Iranit me pasoja globale, bota e ndikuesve të MAGA-s brenda Partisë Republikane është përmbytur nga debate foshnjarake, sharje personale dhe narcisizmi ekstrem.

Një shembull skandaloz është përplasja mes Mark Levin, prezantuesit pro-luftës të Fox News, dhe Megyn Kelly, e cila megjithëse mbështet Trumpin, është kundër “ekskursionit” të tij në Lindjen e Mesme. Grindja nisi në rrjetin X, ku Kelly e sulmoi Levinin me fyerje për përmasat e vogla të organit të tij gjenital.

Levin u përgjigj duke e etiketuar atë si “gojëndyrë”. Vetë Presidenti Trump ndërhyri në Truth Social për të mbrojtur Levinin, por kjo vetëm sa e ndezi më shumë zjarrin. Ndërkohë, Tucker Carlson, figura kryesore e lëvizjes “Amerika e Para”, i ka kushtuar podkastet e tij kritikave ndaj Izraelit, duke pretenduar se lufta po menaxhohet fshehurazi nga grupe fetare hasidike me qëllim shkatërrimin e xhamisë Al-Aksa.

Nga ana tjetër, Ben Shapiro e ka quajtur Carlsonin dhe Kellyn “frikacakë të pabesueshëm”, ndërsa Candace Owens ka deklaruar besnikëri të verbër ndaj Tucker-it. Nëse kjo ju duket si një grindje e turpshme mes milionerësh ndërsa njerëzit e varfër po vdesin në zonat e luftës, kjo ndodh sepse kështu është realisht.
Edhe pse votuesit mbeten besnikë ndaj Trumpit, lëvizja MAGA po copëtohet nga fraksionet.

Kur nisi gjithçka?

Për të kuptuar se si arritëm këtu, duhet të rikthehemi në vitin 2015. Në atë kohë, media kryesore e trajtonte Trumpin si një shaka. Por figura si Milo Yiannopoulos panë tek ai një forcë që do të ndryshonte politikën konservatore.

Këta tipa ishin “guerilasit dixhitalë” të lëvizjes MAGA. Midis “Gangsterëve Origjinalë” (OG) ishin Richard Spencer, një etno-nacionalist i hapur; Lauren Southern, një YouTube-re që sulmonte feminizmin; dhe Gavin McInnes, bashkëthemelues i Vice dhe i grupit “Proud Boys”.

McInnes e kuptoi më mirë se kushdo se humori dhe tallja ishin armë më të fuqishme se faktet. “Proud Boys” nisi si një klub qesharak djemsh që pinin birra dhe këndonin këngë
të Disney-t, përpara se të shndërrohej në diçka më të errët.

Energjia e kësaj lëvizjeje bazohej në kulturën e internetit, lojërat dhe filmat si “The Matrix” apo “Fight Club”. Ajo që i mbante bashkë ishte dëshira për të tallur “seriozitetin e liberalëve”. Megjithatë, kjo lëvizje u përça në gusht 2017 pas trazirave racore në Charlottesville.

Skenat e neonazistëve me pishtarë dhe vrasja e Heather Heyer i futën në kaos ndikuesit.

Po ashtu, doli në shesh hipokrizia. Shumë prej tyre që predikonin “pastërtinë e racës evropiane”, në jetën private kishin partnerë me prejardhje etnike të ndryshme.

Pra, jeta reale doli të ishte më komplekse sesa memet virale në rrjetet sociale. Deri në vitin 2018, shumë prej tyre humbën kontratat ose u ndaluan nga rrjetet sociale. Festa dukej se kishte mbaruar, sidomos pas 6 janarit 2021. Por ishte vetëm fillimi i valës së dytë.

Pandemia dhe podkastet

Vala e re e MAGA-s lindi nga dy faktorë: Covid-19 dhe blerja e Twitter-it nga Elon Musk. Izolimi dhe debatet për vaksinat krijuan një terren të ri për teoritë e konspiracionit. Trump e kuptoi se akuzat ligjore kundër tij mund të shërbenin si platformë fushate, duke u vetëquajtur si “mburoja njerëzore” kundër tiranisë së establishmentit.

Kjo periudhë solli suksesin e "The Daily Wire" me Matt Walsh dhe Ben Shapiro, si dhe dominimin e Tucker Carlson, i cili pasi u shkarkua nga Fox News, krijoi rrjetin e tij. Por ndryshimi i madh erdhi nga “Podcastistan”.

Barron Trump, djali i vogël i presidentit, e bindi të atin të shfaqej në emisionet e Joe Rogan, Theo Von dhe Logan Paul. Këta komedianë-ndikues depërtuan te të rinjtë që më parë mbështesnin demokratët.

Më 20 janar 2025, në inaugurimin e dytë të Trump, Rogan, Kelly dhe Carlson ishin të ftuar nderi pranë gjigantëve të teknologjisë si Zuckerberg dhe Bezos. Dukej si fillimi i një “Epoke të Artë”, por farat e dështimit ishin mbjellë tashmë.

Përplasja e madhe mbi Izraelin dhe Iranin

Gjatë muajve të parë të mandatit të dytë, Steve Bannon dhe Tucker Carlson mbetën mbrojtës të parimit “Amerika e Para”, duke kundërshtuar ndërhyrjet e reja ushtarake. Sidomos Carlson u bë gjithnjë e më kritik ndaj Izraelit, duke aluduar se qeveria amerikane ishte bërë skllave e “lobit izraelit”.

Madje, ai u fiksua pas dosjeve të Epstein, duke sugjeruar se ato mund të ishin përdorur për të shantazhuar Trumpin. Vdekja e papritur e Charlie Kirk në shtator 2025 shkaktoi një moment solidariteti të përkohshëm në lëvizje, por ishte vetëm një iluzion.

Lufta civile shpërtheu sërish kur Joe Rogan ftoi Douglas Murray-n, i cili e kritikoi ashpër podkasterin për përhapjen e teorive konspirative antisemite. Megjithatë, pika e thyerjes ishte kur Tucker Carlson intervistoi Nick Fuentes, një neonazist 27-vjeçar.

Carlson po përpiqej ta fuste Fuentesin në rrjedhën kryesore për të zënë vendin e lënë bosh nga Kirk. Por kjo shkaktoi një tërmet brenda MAGA-s. Ben Shapiro e sulmoi ashpër Carlson-in, ndërsa të tjerë si Matt Walsh refuzuan të mbanin qëndrim. Carlson u shpreh hapur: “Kjo luftë ka të bëjë me atë që vjen pas Donald Trumpit!”.

Revolucioni i ha bijtë e vet

Sot, MAGA është zhytur në një kaos ideologjik. Ndërsa Trump ndjek strategjinë ushtarake të Shapiros dhe Levinit, ndikuesit e tjerë presin dështimin e tij për të marrë kontrollin. Joe Rogan deklaron se shumë njerëz ndihen “të tradhtuar” nga lufta ndaj Iranit.

Ndërkohë, ish-figura të MAGA-s, Yiannopoulos dhe Cernovich, thonë se koalicioni është shkatërruar. “Motori” i ndikuesve që e ktheu Trumpin në pushtet tani po fiket. Siç u shpreh Georges Danton gjatë Revolucionit Francez: “Revolucioni në fund i përpin bijtë e vet!”. Ushtria e rebelëve të vitit 2015 është zëvendësuar nga një oligarki e mëdhenjve dixhitalë që po formojnë një “togë pushkatimi”.

Profesioni i tyre është spektakli dhe objektivi është vëmendja. Ata nuk ndjekin intelektualë si Kissinger apo Buckley, por modelin e biznesit të spektaklit, pra rivalitete si ai midis Biggie kundër Tupac. Është një situatë sa e mjerueshme, aq edhe alarmante. Lauren Southern, në kujtimet e saj të vitit 2025, shkruan: “Unë nuk shoh heronj, por vetëm teatër… një epokë teknofashizmi dhe kontrolli algoritmik”.

Pyetja është: si mund t’i besohet një grupi megalomanësh trajektorja e kombit më të fuqishëm në tokë?

Etërit Themelues të SHBA-së paralajmëruan dikur për fuqinë shkatërruese të fraksioneve. Këta “njerëz të vegjël” që shtiren si gjigantë, premtuan të thanin “kënetën” në Uashington, por në fakt krijuan një të re.

Dhe ndërsa bota digjet, ata interesohen vetëm për një gjë: kush do të dalë i gjallë dhe kush do të fitojë në fund të shfaqjes. / Përshtati "Pamfleti" Nga “The New World”

donald trump maga

1 Komente

  1. T
    Tony

    Paskan mesuar nga Shqiperia që po grinden politikanet Amerikane. Si duket prandaj nuk sjellin më ambasadore ne Shqipëri se vetem ligesia mesojne.

    Lini një Përgjigje