TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Shkurt 2026, 15:25

Si po e përdor Matteo Salvini Olimpiandën Dimërore për të përfituar politikisht?

Shkruar nga Hannah Roberts
Si po e përdor Matteo Salvini Olimpiandën Dimërore për
Matteo Salvini

Zëvendëskryeministri italian po e shikon Olimpiadën Milano–Cortina si një shtysë infrastrukturore për të rifituar peshë politike, por strategjia mbart rreziqe të mëdha...

Për Zëvendëskryeministrin e Italisë, Matteo Salvini, Olimpiada Dimërore Milano–Cortina nuk ka të bëjë kryesisht me sportin. Ajo lidhet drejtpërdrejt me mbijetesën e tij politike.

Salvini, dikur figura dominuese e së djathtës italiane, sot është partner i vogël në qeverinë e drejtuar nga kryeministrja Giorgia Meloni. Autoriteti i tij është dobësuar më tej nga përçarjet brenda partisë Lega, përfshirë largimin e zëvendësit Roberto Vannacci, i cili këtë javë krijoi një forcë rivale politike.

Në këtë kontekst, Olimpiada ofron diçka më konkrete sesa retorika politike: investime të mëdha publike, projekte infrastrukturore dhe vende pune në veri të Italisë, bastion tradicional i Lega-s.

Shtrirja gjeografike e Lojërave dhe miliardat e eurove të përfshira e kthejnë ngjarjen sportive në një program të gjerë zhvillimi rajonal, që Salvini shpreson ta përdorë për të riforcuar mbështetjen elektorale.

Gjatë një vizite në një kantier të lidhur me Olimpiadën në Lombardi, Salvini e paraqiti projektin si një mundësi historike për ndërtimin e infrastrukturës afatgjatë. Me ironi ndaj kritikëve, ai deklaroi se Olimpiada po “shfrytëzohet” për të ndërtuar vepra që do t’i shërbejnë rajonit për dekada.

Megjithatë, kjo strategji ka kundërshtarë të shumtë. Deputeti i opozitës nga Lëvizja 5 Yjet, Gaetano Amato, argumenton se Salvini po përpiqet të riparojë marrëdhëniet me bazën veriore të partisë, e pakënaqur nga zhvendosja e Ligës drejt nacionalizmit dhe nga projekte të diskutueshme si ura e Messinës. Sipas tij, fondet dhe kontratat e lidhura me Olimpiadën synojnë të rikthejnë vota përmes investimeve konkrete.

Sipas politologut Daniele Albertazzi nga Universiteti i Surrey-t, Olimpiada përforcon imazhin e Salvinit si “njeri i veprimit”, në kontrast me kundërshtarët që ai i portretizon si pengues. Por rreziku është i lartë: çdo tejkalim kostosh, menaxhim i dobët apo mungesë e trashëgimisë së premtuar mund të kthehet në barrë politike për të.

Lega ka një kontroll të konsiderueshëm mbi projektet olimpike, duke drejtuar ministritë kyçe, rajonet pritëse dhe strukturat e zbatimit. Kjo ka lehtësuar financimin e projekteve të vjetra infrastrukturore në veri, por ka sjellë edhe probleme mjedisore dhe shqetësime lokale, përfshirë prerjen e qindra pemëve dhe ndërtimin në zona me rrezik gjeologjik.

Kritikat kanë ardhur edhe nga brenda partisë. Luca Zaia, ish-president i rajonit të Venetos, ka kundërshtuar përpjekjet për ta paraqitur Olimpiadën si projekt personal të Salvinit, duke theksuar rolin vendimtar të autoriteteve rajonale. Sipas tij, këto investime janë vepra që Italia duhej t’i kishte realizuar pavarësisht Olimpiadës.

Amato vë në dyshim qëndrueshmërinë e kësaj strategjie. Nëse Olimpiada përballet me dështime, dëme mjedisore apo infrastrukturë të papërfunduar, siç ndodhi pas Olimpiadës Dimërore të Torinos në vitin 2006, Salvini rrezikon të mbetet pa projekte të tjera madhore për të mbështetur ambiciet e tij politike. /Përshtatur nga Politico/

 

salvini lojrat olimpike italia

Lini një Përgjigje