Propozime për rikthimin e mundshëm të Aleksandar Vuçiçit në krye të qeverisë, ndërsa atij i përfundon mandati i dytë presidencial
Pyetja që shtrohet sot është nëse Aleksandar Vuçiç mund ta shkëmbejë postin e presidentit të Serbisë me atë të kryeministrit?
Kjo pyetje është bërë gjithnjë e më e pranishme në javët e fundit në hapësirën publike. Vetë Vuçiç deklaron se ende nuk ka një vendim, por disa zhvillime të fundit kanë nxitur interpretime për një rikthim të mundshëm të tij në krye të qeverisë.
Një prej tyre ishte mbledhja tematike e Qeverisë së Serbisë, ku Vuçiç u kërkoi llogari ministrave, kritikoi punën e tyre, propozoi zgjidhje dhe theksoi se ministrat duhet të punojnë ose të zëvendësohen. Disa ministra deklaruan më pas se presidenti i kishte “tronditur” dhe se paraqitja e tij tregonte si mund të dukej një qeveri e drejtuar prej tij.
Një tjetër element ishte njoftimi i Vuçiçit se së shpejti do të prezantojë planin e zhvillimit të Serbisë deri në vitet 2030 dhe 2035. Ai tha se më 20, 21 ose 22 mars, në një tubim publik, do të paraqesë programin “Serbia 2035”, për të raportuar mbi punën e deritanishme dhe për të prezantuar objektivat e ardhshme.
Sipas Kushtetutës së Serbisë, Vuçiç nuk mund të kandidojë për një mandat të 3-të presidencial. Mandati i tij i dytë përfundon vitin e ardhshëm. Ai ka qenë kryeministër nga viti 2014 deri në vitin 2017, ndërsa më herët ka mbajtur postin e zëvendëskryeministrit të parë në qeverinë e drejtuar nga Ivica Daçiç.
Gjatë mandatit të tij presidencial, në krye të qeverisë janë ndërruar tre kryeministra: Ana Brnabiç, e cila qëndroi në detyrë nga 2017 deri në 2024; Millosh Vuçeviç, që dha dorëheqjen pas më pak se një viti pas një incidenti në Novi Sad; dhe aktualisht Gjuro Macut, i cili mori detyrën në prill të vitit të kaluar.
Kryetari i Partisë Përparimtare Serbe (SNS), Millosh Vuçeviç, është ndër zërat që kanë shprehur hapur dëshirën që Vuçiç të rikthehet në postin e kryeministrit. Ai deklaroi se, edhe pse nuk ka qenë gjithmonë dakord me çdo vendim të tij, koha ka treguar se Vuçiç “di çfarë bën” dhe se do të ishte humbje që ai të tërhiqej nga politika aktive.
Pas këtyre deklaratave, edhe zyrtarë të tjerë të SNS-së shprehën mbështetje për këtë ide. Megjithatë, Vuçiç u kërkoi publikisht kolegëve të tij partiakë që të mos spekulojnë për këtë çështje dhe të mos kërkojnë publikisht që ai të marrë postin e kryeministrit.
Ai tha se në këtë moment nuk dëshiron të japë një përgjigje negative për mundësinë, por theksoi se nuk do të marrë asnjë detyrë pa energji dhe përkushtim të plotë.
Në një intervistë për agjencinë Reuters, Vuçiç deklaroi se nuk është i sigurt për hapat e ardhshëm, por nuk e përjashtoi rikthimin në politikën partiake ose në postin e kryeministrit. Ai theksoi se do të preferonte të ishte më pak i angazhuar në politikë, por shtoi se kujdesi për trashëgiminë e tij politike mund të kërkojë një formë angazhimi.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Vuçiç deklaroi se për të marrë postin e kryeministrit nevojitet mbështetje publike dhe një vendim personal, duke shtuar se situata politike në Serbi është sfiduese dhe se nuk ka ende një vendim përfundimtar.
Analisti politik Gjorgje Vukadinoviç deklaroi për median “Nova” se ekziston një plan i hershëm që Vuçiç të kandidojë për kryeministër, por shtoi se kjo mund të varet nga rezultatet e sondazheve dhe vlerësimi i shanseve reale.
Praktika e kalimit nga posti i presidentit në atë të Kryeministrit nuk është e panjohur në rajon.
Shembuj të tillë janë regjistruar më herët në Republikën Srpska dhe në Mal të Zi. /Përshtatur nga nin.rs/
Lini një Përgjigje