
Biseda midis udhëheqësit të klanit Kavač dhe një oficeri policie në kërkim, Ljubo Milović
Për vite me radhë, bota e krimit të organizuar dukej se operonte në errësirë, e paarritshme për organet e drejtësisë. Por një aplikacion i koduar, Sky ECC, ka tronditur themelet e mafies në të gjithë Europën. Nga Holanda në Greqi, nga Serbia në Shqipëri, rrjeti i bisedave të enkriptuara ka zbuluar jo vetëm rrugët e trafikut të drogës, por edhe fytyrat e bashkëpunëtorëve të brendshëm në polici, politikë e drejtësi.
Në Mal të Zi, komunikimet e publikuara së fundmi nga autoritetet flasin për një logjikë të ftohtë mafioze: "Në luftë nuk shkohet pa kokainë të mirë", i thotë Radoje Zvicer, një prej krerëve të klanit "Kavaç", bashkëpunëtorit të tij, ish-policit në arrati, Ljubo Milović. Bisedat përmendin sasi, cilësi, çmime dhe rrugë trafikimi, nga Uruguaji në portin e Santosit, me çmime që shkojnë deri në 32 mijë euro për njësi. Ato zbulojnë gjithashtu ndikimin e mafies në emërime, dërgime të armatimeve dhe plane për atentate.
Ky model është i njohur edhe për Shqipërinë. Bisedat e zbardhura nga SPAK tregojnë se aplikacioni Sky ECC është përdorur për të lobuar për pozicione në listat zgjedhore, për të siguruar mbrojtje policore dhe për të fshehur pasuritë e trafikut në investime të "pastërta". Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja rezulton në komunikim me elementë të krimit të organizuar për vendosjen e emrit të tij në listën e kandidatëve për zgjedhje. Fjalët e tij në bisedë janë rrëqethëse: "Ma ngrite moralin... se na kishte ik mendja". Mesazhe që tregojnë jo thjesht flirt, por martesë të plotë mes politikës dhe mafies.
Në Greqi, hetimet mbi përdorues shqiptarë të Sky ECC zbuluan se policë grekë kërkonin drogë në këmbim të "shërbimeve", ndërsa bisedat përmendin shifra, emra dhe udhëzime operative. Po kështu, në Shqipëri, identifikimi i "bahçevanëve", personave që kujdeseshin për pastrimin e parave, nxori në dritë një infrastrukturë kriminale të integruar.
Sky ECC nuk është thjesht një aplikacion, por një arkiv i të vërtetës kriminale të Ballkanit. Zbërthimi i tij ka ekspozuar fytyra, struktura, dhe mbi të gjitha, bashkëpunimin e heshtur të institucioneve që duhej të mbronin qytetarët. Nëse në Mal të Zi, autoritetet kanë nisur procese penale të nivelit të lartë, në Shqipëri, heshtja mbetet përgjigja zyrtare më e zakonshme.
Në vend që të shërbejë si një sinjal alarmi për reformë të thellë, Sky ECC rrezikon të kthehet në një dosje tjetër që mbyllet në sirtar. Sepse aty ku mafia flet, por shteti hesht, drejtësia vdes në heshtje./Pamfleti
Lini një Përgjigje