Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, zhvilloi të hënën në mbrëmje një bisedë telefonike me kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz, dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, për zhvillimet në Lindjen e Mesme, me fokus të veçantë situatën në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas një zëdhënësi të Downing Street, tre liderët diskutuan për rritjen e tensioneve në rajon dhe theksuan rëndësinë e garantimit të lirisë së lundrimit për anijet tregtare që kalojnë nëpër këtë zonë strategjike.
Ata ranë dakord të “bashkëpunojnë ngushtë” në ditët në vijim për të përballuar kërcënimet që burojnë nga Irani dhe për të ruajtur sigurinë e transportit detar.
Gjatë bisedës, Starmer informoi homologët e tij për masat mbrojtëse që Mbretëria e Bashkuar ka ndërmarrë kohët e fundit në rajon, në kuadër të mbështetjes për aleatët e saj në Gjirin Persik.
Tre liderët nënvizuan gjithashtu nevojën për vazhdimin e koordinimit të ngushtë midis vendeve të tyre, përballë përshkallëzimit të situatës, dhe ranë dakord të mbeten në kontakt të vazhdueshëm në ditët e ardhshme.
Ndërkohë, qeveria britanike po mban kontakte me sektorin e sigurimeve për të garantuar mbulimin e nevojshëm për kompanitë e transportit detar.
Lini një Përgjigje