‘Glavna ulica’ në Zemun bllokohet për ditën e gjashtë, studentët refuzojnë të dorëzohen...
Që prej mëngjesit të së premtes, rruga kryesore e Zemunit në Beograd, Glavna Ulica është kthyer në një “zonë të lirë për këmbësorë”, si shenjë proteste ndaj arrestimeve dhe dhunës policore kundrejt studentëve dhe qytetarëve gjatë javës së fundit. Kjo është dita e gjashtë e protestave masive që kanë përfshirë Serbinë, ndërsa studentët janë kthyer në shtyllën e rezistencës qytetare.
Të rinjtë nga Fakulteti i Bujqësisë dhe fakultete të tjera të Beogradit kanë vendosur barrikada simbolike, duke ndaluar qarkullimin dhe duke e shndërruar këtë zonë urbane në një hapësirë revolte. Paralelisht, më shumë se 1 130 qytetarë janë ndaluar për kontroll identiteti nga policia, dhe 107 prej tyre janë në paraburgim.
Në pjesë të tjera të kryeqytetit serb, nga Autokomanda te Bulevardi i Mbretit Aleksandër, e deri në komunat e reja si “Pariska” në Novi Beograd, janë regjistruar bllokada spontane, në përpjekje për të shpërndarë simbolikën e qëndresës në të gjithë qytetin.
Presidenti Aleksandar Vuçiç ka zgjedhur të ironizojë protestuesit, duke i quajtur bllokadat “shfaqje 4-minutëshe për Instagram”, por realiteti në terren flet ndryshe. Mobilizimi i studentëve ka fituar një dimension të ri social dhe politik, duke nxitur thirrje për zgjedhje të parakohshme dhe ndëshkime për aktet e dhunës shtetërore.
Çfarë i paralajmërojnë këto protesta Ballkanit?
Ngjarjet në Zemun nuk janë vetëm një çështje e brendshme serbe. Ato zbulojnë një tension të madh midis brezit të ri dhe elitave politike të kapura. Në një kohë kur autoritarizmi përpiqet të rikthejë modelin e kontrollit mbi median, drejtësinë dhe jetën akademike, studentët janë kthyer në zërin më të fortë kundër këtij projekti.
Për Shqipërinë dhe rajonin, ky është një paralajmërim. Kërkesa për llogaridhënie, për drejtësi dhe për politika të ndershme është një valë që kalon kufijtë. Bllokimi i një rruge nuk është thjesht një akt revolte, është një “referendum simbolik” kundër një sistemi të kalbur.
Zemuni është sot një laborator proteste. Nesër mund të jetë Novi Sad, pasnesët Shkupi apo Tirana. Sepse Ballkani, më shumë se kurrë, ka nevojë për qytetarë të vetëdijshëm, jo për liderë të paprekshëm./Pamfleti
Lini një Përgjigje