
Kryeministri hungarez Viktor Orban shprehet se Europa do të “mbetet prapa” nëse Donald Trump dhe Vladimir Putin takohen për të negociuar përfundimin e luftës në Ukrainë. Orban deklaroi në televizionin shtetëror hungarez se “nëse zhvillohet samiti ruso-amerikan, kjo është mirë, sepse atëherë paqja më në fund mund të mbizotërojë. Por evropianët do të lihen jashtë; ne do të lihemi jashtë adresimit të çështjeve të sigurisë së kontinentit tonë.”
Orban kërkoi që një samit ruso-evropian mbi luftën në Ukrainë të mbahet "sa më shpejt të jetë e mundur".
Në vend të udhëheqësve të BE-së, negociata të tilla duhet të zhvillohen nga kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron "në emër të Evropës", vazhdoi kryeministri hungarez. Orban konsiderohet partneri më i ngushtë i Putinit në BE, ai ende mban marrëdhënie miqësore me Moskën.
Ndërkohë zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe disa vende evropiane do të takohen në Mbretërinë e Bashkuar këtë fundjavë për të arritur një qëndrim të përbashkët përpara se të takohen Vladimir Putin dhe Donald Trump.
Lini një Përgjigje