TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Qershor 2026, 20:04

"Deputetët u fshehën si miu në çark", aktivisti Lika: Nuk ramë pre e provokimeve

Shkruar nga Pamfleti

"Deputetët u fshehën si miu në çark", aktivisti

Aktivisti Edison Lika mbajti fjalën para Kryeministrisë gjatë protestës së 31-të qytetare, ku deklaroi se protestuesit ruajtën qetësinë pavarësisht, sipas tij, provokimeve nga policia.

Ai tha se pjesëmarrësit në protestë arritën të shkonin për herë të parë pranë Parlamentit, ndërsa akuzoi deputetët se shmangën përballjen me qytetarët.

Lika u shpreh se protesta do të vijojë dhe përsëriti kërkesën për dorëheqje, ndërsa deklaroi se punonjësit e Policisë së Shtetit janë, sipas tij, të keqpërdorur dhe se protestuesit nuk i konsiderojnë kundërshtarë.

"Protesta nuk ra pre e provokimeve të policisë. Pavarësisht se tentuan të na provokonin, nuk ramë pre, derisa u detyruan të na sulmojnë. Pasi na sulmuan, u detyruan të ulin kokën dhe të hapin derën. Sepse kanë kuptuar se kjo protestë shënon fundin e tyre", tha ai.

Në vijim të fjalës së tij, aktivisti tha se deputetët nuk u përballën me protestuesit dhe përsëriti akuzat ndaj mazhorancës.

"Sot për herë të parë kishim mundësi të shkonim para Parlamentit dhe t'u jepnim mundësi të zgjedhurve të na shohin në sy. Nuk na panë dot. E patë si u fshehën? Si miu në qark. Kanë frikë të na shohin në sy. Nuk janë të zgjedhurit tanë. Janë të zgjedhurit e krimit, oligarkëve", shtoi Lika.

Në fund të fjalimit, aktivisti Lika falenderoi protestuesit dhe u ndal edhe te roli i Policisë së Shtetit.

"Sot ne rezistuam përsëri paqësisht dhe ju treguam se jemi më të fortë se ata, edhe më të drejtë se ata. Edhe një herë kërkojmë dorëheqje. Për sot falënderojmë policinë, sepse kur ka raste të tilla e duam më shumë njëri-tjetrin. Policia e Shtetit është e burgosura e parë e këtij shteti. Kjo fitore na ka bërë më të fortë dhe na ka treguar se jemi në rrugën e duhur", përfundoi ai.

Lini një Përgjigje