Prokurori i përgjithshëm në detyrë i SHBA-së, Todd Blanche ka folur në lidhje me të dyshuarin për të shtënat e mbrëmshme në Uashington.
Blanche tha për NBC News se i dyshuari ka të ngjarë të ketë pasur në shënjestër zyrtarë të administratës Trump.
“Me sa duket, ai, në fakt, kishte për qëllim të shënjestronte njerëzit që punojnë në administratë, me shumë mundësi përfshirë presidentin”, tha ai.
Blanche u shpreh se nuk beson që i dyshuari po bashkëpunon me hetimin.
Ai theksoi se akuzat kundër tij do të përfshijnë sulmin ndaj një oficeri federal, qitje me armë zjarri dhe përpjekje për të vrarë një oficer federal.
Presidenti Donald Trump u evakuua me shpejtwsi nga një darkë gala me median, pas të shtënave me armë në hotelin Washington Hilton, që detyruan anëtarët e kabinetit të strehoheshin nën tavolina duke e kthyer sallë e madhe në një skenë krimi.
Autoritetet federale dhe ato lokale thanë se një person është arrestuar menjëherë. Në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të shtunën mbrëma, Trump deklaroi se kishte folur me një oficer të Shërbimit Sekret që u qëllua dhe u godit në jelekun antiplumb në vendngjarje, dhe se ai tani “është shumë mirë”.
“Është gjithmonë tronditëse kur ndodh diçka e tillë,” tha Trump, duke vlerësuar reagimin e shpejtë të forcave të rendit.
Kush është autori që u arrestua?
Burri, i identifikuar nga mediat amerikane si 31-vjeçari Cole Tomas Allen, u arrestua në vendngjarje. Konfirmimi zyrtar ende nuk është bërë publik.
Zyrtarët e zbatimit të ligjit, të cilët nuk kanë publikuar ende emrin e të dyshuarit, thanë se ai banon në Torrance, Kaliforni, një qytet bregdetar në rajonin South Bay pranë Los Anxhelosit, përgjatë gjirit Santa Monica.
Shefi i policisë së Uashingtonit tha se hetuesit besojnë se i dyshuari ishte duke qëndruar si klient në Washington Hilton, ku po zhvillohej darka vjetore, megjithëse ende nuk është përcaktuar motivi.
Postime në Facebook, që duket se lidhen me Allen, tregojnë se ai ishte vlerësuar si “Mësuesi i Muajit” në dhjetor 2024 nga dega në Torrance e kompanisë C2 Education, një kompani kombëtare private që ofron kurse përgatitore dhe tutorim për studentët që synojnë universitetin. 
Një profil në LinkedIn me emrin e të dyshuarit e përshkruan atë si “inxhinier mekanik dhe shkencëtar kompjuterik sipas diplomimit, zhvillues i pavarur lojërash sipas përvojës, mësues nga natyra”.
Sipas të dhënave federale për financimin e fushatave, Allen kishte kontribuar me 25 dollarë për një komitet politik të Partisë Demokratike në mbështetje të Kamala Harris për presidente në vitin 2024.
Ndërkohë, duke folur për gazetarët, Donald Trump tha se është pak e mundshme që të shtënat të kenë lidhje me luftën SHBA–Izrael kundër Iranit. “Kjo nuk do të më pengojë të fitoj luftën në Iran. Nuk e di nëse ka pasur lidhje me këtë, sinqerisht nuk besoj, bazuar në atë që dimë,” u tha Trump gazetarëve.
Lini një Përgjigje