TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Maj 2026, 16:44

Tensione në Hormuz/ Pas të shtënave ndaj flotës amerikane, shpërthen anija koreane

Shkruar nga Pamfleti
Tensione në Hormuz/ Pas të shtënave ndaj flotës amerikane,
Foto ilustruese

Shpërthimet në Hormuz dhe paralajmërimet nga Irani rrisin tensionet në korridorin strategjik global...

Një shpërthim i ndjekur nga flakë në një anije koreano-jugore në Ngushticën e Hormuzit ka rikthyer në qendër të vëmendjes tensionet në një nga korridoret më të rëndësishme të energjisë në botë, aty ku çdo incident ka ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë rajonale dhe tregjet globale.

Anija, e operuar nga një kompani detare e Koresë së Jugut, ndodhej në ankorim pranë Emirateve të Bashkuara Arabe kur u regjistrua shpërthimi. Autoritetet në Seul konfirmuan se nuk ka viktima, ndërsa po vijojnë hetimet për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një aksident apo një sulm të mundshëm.

Ngjarja ndodh në një klimë të tensionuar në Hormuz, ku Irani ka rritur presionin mbi trafikun detar. Zëdhënësi i Gardës Revolucionare, Hossein Mohebi, deklaroi për “Press TV” se çdo anije që nuk respekton rregullat e vendosura nga Irani do të përballet me “pasoja serioze”, duke përfshirë ndalimin me forcë. Ai theksoi se kalimi i sigurt në ngushticë varet nga koordinimi me forcat iraniane.

Paralajmërimet e Teheranit vijnë në një moment kur Shtetet e Bashkuara kanë rritur praninë ushtarake në zonë. Në kuadër të operacionit “Project Freedom”, Komanda Qendrore Amerikane njoftoi se dy anije tregtare me flamur amerikan kanë kaluar me sukses ngushticën, të shoqëruara nga mjete ushtarake për të garantuar sigurinë e lundrimit.

Ndërkohë, forcat iraniane kanë raportuar se kanë qëlluar me të shtëna paralajmëruese ndaj anijeve luftarake amerikane, duke i akuzuar për mosrespektim të sinjaleve të tyre. 

Sipas zyrës së marrëdhënieve me publikun të ushtrisë iraniane, shkatërruesit amerikanë “fikën radarët e tyre” në Detin e Omanit dhe u përpoqën t’i afroheshin Ngushticës së Hormuzit.

Menjëherë pasi i ndezën radarët, ata u zbuluan dhe u përballën me një paralajmërim në radio nga marina e Republikës Islamike të Iranit në lidhje me rreziqet e shkeljes së armëpushimit”, tha ajo. Vetë SHBA e mohoi. 

Kjo përplasje retorike dhe operative rrit rrezikun e incidenteve të paparashikuara në një zonë tashmë të brishtë.

Reagime ka pasur edhe nga vendet e rajonit. Katari dënoi një sulm të mëparshëm ndaj një anijeje të kompanisë energjetike të Emirateve, Adnoc, duke e cilësuar shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të lirisë së navigimit. Doha theksoi se Ngushtica e Hormuzit nuk mund të përdoret si mjet presioni politik dhe kërkoi garantimin e kalimit të lirë për trafikun detar.

Hormuzi mbetet një arterie jetike për ekonominë globale, pasi përmes tij kalon një pjesë e konsiderueshme e eksportit botëror të naftës. Për këtë arsye, çdo incident, si ai me anijen koreano-jugore, dhe çdo paralajmërim nga aktorët kryesorë në rajon, rrit menjëherë shqetësimet për stabilitetin dhe sigurinë e furnizimeve energjetike në shkallë globale.

hormuz shba kore

Lini një Përgjigje