Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov ditën e sotme gjatë një konference për shtyp me homologun e tij brazilian Mauro Vieira në Brasilia, tha se Rusia është "e interesuar" për t'i dhënë fund konfliktit në Ukrainë "sa më shpejt të jetë e mundur".
Lavrov falënderoi gjithashtu kolegët e tij brazilianë për "kuptimin e shkëlqyeshëm" të situatës në Ukrainë dhe tha se Rusia është mirënjohëse për "dëshirën e Brazilit për të kontribuar" në kërkimin e zgjidhjeve të mundshme.
Ministri i Jashtëm rus pritet të takohet sot edhe me presidentin brazilian Luiz Inacio Lula da Silva, sipas orarit të Ministrisë së Jashtme braziliane të publikuar në internet. Ukraina ka thënë vazhdimisht se paqja në konflikt do të arrihet vetëm nëse Rusia rivendos kufijtë e vendit dhe Kievi rimerr Krimenë.
“Paqja e vërtetë do të thotë rivendosja e kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës. Paqja e vërtetë do të thotë një atdhe i sigurt për njerëzit e shënjestruar në Krimenë ukrainase", tha Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba në një fjalim javën e kaluar në Konferencën e Sigurisë së Detit të Zi në Bukuresht.
Por një skenar i tillë, i një paqeje me kushtet e Kievit duke shumë larg realitetit. Kjo pasi edhe nëse Rusia bie dakord të lëshojë territoret e aneksuara verën e shkuar (gjë që është e pamundur), rikthimi i Krimes sipas pretendimeve të Ukrainës është jashtë çdo perceptimi. Një gjë të tillë e ka bërë të qartë dhe Putin i cili është shprehur se ajo është “vija e kuqe”. Nëse një gjë e tillë kërkohet me ngulm nga Kievi, përdorimi i armëve bërthamore mund të bëhet një realitet i frikshëm.
Lini një Përgjigje