TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Shtator 2024, 22:52

Trump apo Harris: çfarë drejtimi do të ndjekë politika e jashtme e SHBA-së në vitin 2025?

Shkruar nga Joseph S.Nye, Jr.

Trump apo Harris: çfarë drejtimi do të ndjekë politika e

Një nga diferencat më të mëdha, ka të bëjë me qëndrimet e dy kandidatëve ndaj Evropës. Trump dhe zëvendësi i tij, J.D.Vance, e kanë bërë të qartë se janë shumë pak të interesuar të mbështetin Ukrainën dhe NATO-n...

Ndërsa po afrohen zgjedhjet presidenciale në SHBA, shumë njerëz po pyesin se çfarë domethënie kanë ato mbi politikën e jashtme amerikane. Përgjigja është e rrethuar nga shumë paqartësi. Së pari, kush do t’i fitojë këto zgjedhje? Në fillim të verës, sondazhet treguan se Donald Trump ishte shumë përpara presidentit aktual Joe Biden.

Por tani që kandidate e Partisë Demokratike është zv/presidentja Kamala Harris, sondazhet e nxjerrin atë në krye me një epërsi të lehtë. Sigurisht, së pari problemi është se nëse ndjenjat e votuesve mund të luhaten kaq shumë, është e pamundur të parashikosh se si do të votojnë ata më 5 nëntor. Ndërsa Harris ka treguar deri tani aftësi politike mbresëlënëse, politika në një demokraci është plot surpriza.

Së dyti, të drejtën e “votës” e kanë edhe udhëheqësit dhe aktorët e huaj, në kuptimin që sjellja e tyre mund të ndryshojë papritur axhendën e SHBA-së dhe probabilitetet e rezultateve të ndryshme. Politika modeste e jashtme që premtoi Xhorxh W.Bush gjatë fushatës së tij të vitit 2000, nuk ishte aspak e ngjashme me politikën që ai ndoqi pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Kush e di se çfarë lloj befasie mund të sjellë Vladimir Putin apo Xi Jinping. Deklaratat që po bëhen gjatë fushatës, na ofrojnë disa sugjerime rreth politikave që mund të ndiqen në të ardhmen. Nëse fiton Harris, mund të pritet një vazhdim i politikës së Biden, edhe pse me disa ndryshime.

Duket se ajo i kushton më pak rëndësi promovimit të demokracisë - një nga kauzat kryesore të  Biden - dhe flet pak më shumë mbi të drejtat e palestinezëve. Por në përgjithësi, ajo mund të ndjekë të njëjtën politikë të përforcimit të aleancave të SHBA-së dhe të promovimit të aleancave shumëpalëshe.

Në kampin tjetër, Trump është më i paparashikueshëm. Është e vështirë të dihet se cilat deklarata të fushatës së tij, mund të bëhen politika nëse zgjidhjet sërish president. Retorika e tij rreth unilateralizmit dhe prishjes së aleancave dhe institucioneve shumëpalëshe, na tregon diçka për tendencën e politikës së tij të jashtme, por nuk i jep përgjigje pyetjeve mbi çështje specifike.

Analistët përpiqen shpesh që të përmirësojnë parashikimet e tyre, duke analizuar emrat e këshilltarëve të kandidatëve presidencialë. Figura kryesore në lidhje me politikës së jashtme në shtabin e Harris është Philip Gordon, një centrist pragmatik, shumë i respektuar, i cili është marrë me çështjet evropiane dhe të Lindjes së Mesme në administratat e mëparshme demokrate, përpara se të bëhej këshilltari kryesor i zëvendëspresidentes aktuale për politikën e jashtme.

Nga ana tjetër, është e vështirë të identifikohet një figurë e krahasueshme në kampin e Trump, ndonëse media përmend ndonjëherë Robert O’Brien, këshilltarin e fundit të Trump për sigurinë kombëtare. Ajo që ne dimë, është se Trump është penduar që emëroi republikanët tradicionalë në postet kyçe gjatë mandatit të tij të mëparshëm, sepse ata ia kufizuan lirinë e tij të veprimit, dhe i bënë politikat e tij më të moderuara nga sa do të dëshironte ai që të ishin.

Ndërkaq, vlen të theksohen disa ngjashmëri mes dy kandidatëve. Më të rëndësishme janë qëndrimet e tyre ndaj Kinës. Sot në SHBA, ka një konsensus i gjerë dypartiak se Kina nuk është sjellë në mënyrë korrekte mbi çështjet e tregtisë dhe të pronësisë intelektuale, dhe se sjellja e saj agresive në Detet e Kinës Lindore dhe Jugore po i kërcënon aleatët amerikanë si Japonia dhe Filipinet.

Kina ka deklaruar shumë herë, se nuk përjashton edhe përdorimin e forcës për të pushtuar Tajvanin, të cilin e konsideron si një provincë kineze rebele. Në shumë aspekte, Joe Biden e vazhdoi politikën e Trump përkundrejt Kinës, dhe Harris ka të ngjarë të bëjë të njëjtën gjë, por me disa rregullime.

Një ngjashmëri e dytë midis 2 kandidatëve aktualë, është refuzimi i politikave ekonomike neoliberale. Gjatë presidencës së Trump, SHBA-ja e braktisi qasjen tradicionale republikane (të epokës së Ronad Reagan) ndaj tregtisë. Ajo i rriti tarifat dhe e zbehu rolin e saj në Organizatën Botërore të Tregtisë.

E gjitha kjo ndodhi nën drejtimin e Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA, Robert Lighthizer, i cili mbetet  një figurë me shumë ndikim në rrethin e Trump. Po ashtu, Trump e hodhi poshtë Partneritetin e Trans-Paqësorit që kishte negociuar dhe nënshkruar Barack Obama me aleatët aziatikë, dhe më pas Biden nuk bëri asgjë për t’u ribashkuar me atë marrëveshje apo për të hequr tarifat që vendosi Trump mbi importet nga Kina.

Madje Biden shkoi më tej, duke vendosur kontrolle të reja mbi eksportet të fokusuara tek teknologjia kundër Kinës (kjo strategji u quajt edhe si ngritja e një “gardhi të lartë rreth një oborri të vogël”). Por me lidhjet e ngushta si një kaliforniane me industrinë e teknologjisë amerikane, Harris nuk ka gjasa të anulojë ndonjë prej këtyre kufizimeve.

Ndërkohë është e sigurt se Trump do t’i zgjerojë ato. Për më tepër, si Trump ashtu edhe Harris janë zotuar që të rrisin fuqinë e fortë amerikane - ushtarake dhe ekonomike - nëpërmjet investimeve në buxhetin e mbrojtjes dhe bazën e saj industriale. Po nga të dy pritet që të vazhdojnë programin aktual të modernizimit të armëve bërthamore, dhe të promovojnë zhvillimin e armëve të reja që përdorin Inteligjencën Artificiale.

Një nga diferencat më të mëdha, ka të bëjë me qëndrimet e dy kandidatëve ndaj Evropës. Trump dhe zëvendësi i tij, J.D.Vance, e kanë bërë të qartë se janë shumë pak të interesuar të mbështetin Ukrainën dhe NATO-n. Trump pretendon se do t’i japë fund shpejt luftës përmes negociatave.

Por është e vështirë se si mund të ndodhë kjo, pa e dobësuar shumë Ukrainën. Në lidhje me Lindjen e Mesme, që të dy kandidatët janë zotuar të ruajnë sigurinë e Izraelit dhe të drejtën e tij për vetëmbrojtje, edhe pse Kamala Harris po flet gjithashtu për të drejtën e palestinezeve për vetëvendosje.

Ka të ngjarë që të dy t'i kërkojnë Arabisë Saudite të vazhdojë procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin, ndërsa do të mbanin një qëndrim të ashpër ndaj Iranit. Por ndërsa Trump nuk ka shumë prioritet rajone si Afrika dhe Amerika Latine, Harris mund t’u kushtojë atyre më shumë vëmendje.

Dallimi më i madh ka të bëjë me fuqinë e butë amerikane, pra me aftësinë për të siguruar rezultatet e dëshiruara nëpërmjet bindjes dhe jo përmes detyrimit apo pagesës. Gjatë presidencës së tij të parë, Trump zgjodhi unilateralizmiun nën moton “Amerika në plan të parë”, e cila i detyroi  vendet e tjera të arrinin në përfundimin se nuk po merreshin fare në konsideratë interesat e tyre.

Po ashtu, ai hodhi poshtë hapur multilateralizmin, duke u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit mbi luftën ndaj ndryshimeve klimatike, si dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Biden i anuloi këto vendime, por ndoshta Trump do t’i miratojë sërish, ndërsa Harris do të ruante pjesëmarrjen e SHBA-së në to.

Po ashtu, ajo ka më shumë gjasa se Trump të bëjë deklarata që promovojnë të drejtat e njeriut dhe demokracinë. Me pak fjalë, pavarësisht se kush do të fitojë zgjedhjet, do të ketë segmente të gjera të vazhdimësisë në politikën e jashtme të SHBA-së,. Por dallimet midis qëndrimeve të kandidatëve ndaj aleancave dhe multilateralizmit janë të rëndësishme, dhe kjo mund të sjellë gjithë ndryshimin. /Përshtati “Pamfleti” nga “Project Syndicate”

Shënim: Joseph S. Nye, Jr., bashkë-Kryetar i Grupit të Strategjive ASPEN, dhe ish-ndihmës sekretar i Mbrojtjes i SHBA-së.

Lini një Përgjigje