Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se mbetet e paqartë nëse lideri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është ende gjallë, ndërsa televizioni shtetëror iranian transmetoi më herët gjatë javës një deklaratë që i atribuohej atij.
Në një intervistë për NBC News, Trump tha se nuk ka prova që konfirmojnë nëse Khamenei është ende gjallë.
“Unë nuk e di nëse ai është gjallë. Deri tani askush nuk ka mundur ta shfaqë atë. Po dëgjoj se ai nuk është gjallë dhe, nëse është, duhet të bëjë diçka shumë të zgjuar për vendin e tij, të dorëzohet. Disa mendojnë se është gjallë, por shumë i plagosur", u shpreh Trump.
Deklaratat e presidentit amerikan erdhën një ditë pasi sekretari amerikan i Luftës, Pete Hegseth, tha se lideri suprem iranian ka të ngjarë të jetë “i shpërfytyruar” pasi u plagos gjatë sulmeve të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
Në të njëjtën intervistë, Trump foli edhe për situatën në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për eksportet globale të naftës, të cilën Irani aktualisht po e bllokon.
“Nuk dua të përmend se cilat vende mund të ndihmojnë, por mund ta merrni me mend. Madje mund të jenë edhe vende që do t’ju surprizojnë”, tha ai.
Më herët, në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump shkroi se “shumë vende” do të dërgojnë anije luftarake për të mbajtur të hapur këtë rrugë strategjike detare. Ai përmendi mes të tjerash Mbretërinë e Bashkuar, Kinën, Francën, Japoninë dhe Korenë e Jugut, duke shtuar se shpreson që edhe vende të tjera t’i bashkohen këtij operacioni.
Deklaratat e fundit të presidentit amerikan vijnë në një moment tensioni të lartë në rajon dhe mes pasigurive për gjendjen e liderit suprem iranian.
Ja u vra e cfare!? Vjen tjetri i radhes. Perandorite, shtetet, kombet nuk zhduken pse u vra i pari e i dyti. Po nuk u shkaterrua sistemi e ekonomia e tij nuk ka zhdukje.