TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Maj 2026, 14:35

Trump nuk i ndahet Groenlandës, bisedimet sekrete me Danimarkën për bazat e reja ushtarake

Shkruar nga Pamfleti
Trump nuk i ndahet Groenlandës, bisedimet sekrete me Danimarkën
Donald Trump

Zyrtarë amerikanë kanë propozuar një model ku bazat e reja do të konsideroheshin zyrtarisht territor sovran i SHBA. Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë marrëveshje përfundimtare dhe numri i bazave mund të ndryshojë.

Shtetet e Bashkuara dhe Danimarka ndodhen në fazë të avancuar negociatash për zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane në Groenlandë, sipas zyrtarëve të cituar nga BBC.

Kontaktet mes dy palëve janë intensifikuar gjatë muajve të fundit, pas tensionit diplomatik që shkaktuan deklaratat e Donald Trump lidhur me mundësinë e marrjes nën kontroll të ishullit nga SHBA.

Sipas medias britanike, Uashingtoni synon ngritjen e tre bazave të reja ushtarake në pjesën jugore të Groenlandës. Burime të përfshira në bisedime thonë se objektivi kryesor i këtyre instalimeve do të jetë monitorimi i aktivitetit detar rus dhe kinez në zonën mes Groenlandës, Islandës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Donald Trump deklaroi në janar se SHBA duhet ta “zotërojë” Groenlandën për të penguar ndikimin e mundshëm të Rusisë ose Kinës, duke lënë të kuptohet se kjo mund të arrihej “ose në mënyrën e lehtë, ose në mënyrën e vështirë”.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se po zhvillohen bisedime të nivelit të lartë me Danimarkën dhe Groenlandën, pa dhënë detaje të tjera. Një zyrtar amerikan tha se administrata e konsideron procesin e negociatave në drejtim pozitiv. Edhe Ministria e Jashtme daneze konfirmoi ekzistencën e një kanali aktiv diplomatik me SHBA, duke shmangur komentet mbi përmbajtjen e diskutimeve. Kopenhaga ka shprehur më herët gatishmëri për të diskutuar zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane në ishull.

Sipas të njëjtave burime, zyrtarë amerikanë kanë propozuar një model ku bazat e reja do të konsideroheshin zyrtarisht territor sovran i SHBA. Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë marrëveshje përfundimtare dhe numri i bazave mund të ndryshojë.

Një nga instalimet e reja po shqyrtohet të ndërtohet në Narsarsuaq, në një zonë ku më parë funksiononte një bazë ushtarake amerikane me aeroport të vogël. Analistët vlerësojnë se edhe bazat e tjera mund të vendosen në zona me infrastrukturë ekzistuese, si porte apo aeroporte, për të ulur kostot e zhvillimit.

Burime të përfshira në negociata theksojnë se SHBA nuk kanë ngritur zyrtarisht çështjen e pushtimit apo kontrollit të Groenlandës, një skenar që është refuzuar publikisht si nga Danimarka ashtu edhe nga NATO.

Bisedimet po zhvillohen kryesisht nga një grup i vogël zyrtarësh në Uashington. Rol kyç në proces thuhet se ka Michael Needham, zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, i cili po punon për një marrëveshje që do të plotësonte kërkesat e Trump pa kaluar “vijat e kuqe” të Danimarkës.

Në takime marrin pjesë edhe ambasadori danez në SHBA, Jesper Møller Sørensen, si dhe diplomati më i lartë i Groenlandës në Uashington, Jakob Isbosethsen. Sipas burimeve, palët kanë zhvilluar të paktën pesë takime që nga mesi i janarit.

Kryeministri i Groenlandës, Jens Frederik Nielsen, deklaroi gjatë një samiti për demokracinë në Kopenhagë se bisedimet me SHBA “kanë bërë disa hapa në drejtimin e duhur”, por theksoi se negociatat vazhdojnë.

Ai sqaroi gjithashtu se Groenlanda nuk do të pranojë asnjë vënie në dyshim të sovranitetit të saj.

Aktualisht, SHBA kanë një bazë ushtarake në Groenlandë, bazën hapësinore Pituffik në veriperëndim të ishullit, e cila përdoret për monitorimin e kërcënimeve raketore në kuadër të NORAD.

doankd trump nuk i ndhate groenlandes shba bisedime sekrete per baza ushtarake ne groenlande

Lini një Përgjigje