
Shtëpia e Bardhë dëshiron të arrijë suksese të shpejta në politikën e jashtme, të cilat që kanë përfitime të prekshme, edhe nëse kjo mund të nënkuptojë anashkalimin e Izraelit, në favor të delegimit të politikës së Lindjes së Mesme nga Turqia dhe Arabia Saudite.
Administrata Trump shpreson se mund të zhvendosë qindra mijëra palestinezë nga Gaza dhe të ringjallë një version të planit “Paqe për Prosperitet”. Por duke e lejuar Izraelin të zhvendosë banorët e Gazës në Siri, Uashingtoni rrezikon që të destabilizojë qeverinë në Damask dhe një kthim të luftës civile.
Ky është pikërisht lloji i nismës kaotike, të ndërlikuar dhe të zgjatur, që Shtëpia e Bardhë do të donte të shmangte, dhe është një tregues i dallimeve politike që po shfaqen midis Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
Shtëpia e Bardhë, nuk e ka fshehur se do largimin e palestinezëve nga Gaza, gjë që do të lejonte rindërtimin e Rripit, përpara se disa refugjatë të mendojnë kthimin. Kjo është në përputhje me planet e administratës së parë të Trump, për një qasje më integrale ndaj marrëdhënies së Izraelit me territoret.
Ky format i përmbahet një kuadri ligjor dhe ekonomik të normalizuar, ndërsa nuk arrin të krijojë plotësisht një shtet për palestinezët, por duke sjellë siguri dhe stabilitet në rajon së bashku me një Çmim Nobel për Paqen për presidentin amerikan. Ky vizion, është formësuar nga politikanë të qendrës së djathtë në Izrael, të cilët janë përpjekur të adresojnë realitetet në terren, duke akomoduar dyshimet dhe frikën e shumicës së publikut izraelit.
Pavarësisht dallimeve, ekziston një përputhje e interesave të SHBA-së dhe Izraelit në gjetjen e një zgjidhjeje për një situatë të vështirë, në të cilën publiku izraelit dhe ai palestinez janë në dy botë të ndryshme për të ardhmen e paqes dhe sigurisë.
Prandaj, ka raportime se qeveria izraelite po synon që të bindë kombe të ndryshme në Afrikë që të pranojnë palestinezët, përfshirë Sudanin e Jugut dhe Somalinë. I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, bëri një sugjerim më serioz në lidhje me Indonezinë në janar.
Megjithatë, në mungesë të një procesi koherent negociues dhe strategjie mediatike, ky propozim u refuzua kategorikisht nga Xhakarta. Në mesin e marsit, pati zëra se Shtëpia e Bardhë kishte kontaktuar Sirinë përmes një pale të tretë, megjithëse qeveria siriane i mohoi këto raportime
Por pavarësisht kësaj përputhjeje interesash, Jerusalemi po nis të ketë një qasje të ndryshme nga Uashingtoni. Që kur përfundoi armëpushimi natën e 17 marsit, Izraeli e ka shndërruar 30 për qind të Gazës në një zonë tampon, të cilën ministria izraelite e mbrojtjes planifikon ta mbajë nën çdo lloj marrëveshje për paqeje.
Së bashku me Korridorin Netzarim që e izolon Gazës në veri, forcat izraelite kanë krijuar tani Korridorin Morag që ndan Rafahun nga Khan Younis në jug. Pjesa më e madhe e Rripit është shkatërruar tashmë. Dhe ndonëse kostoja e rindërtimit është lehtësisht e përballueshme për një koalicion partnerësh, askush nuk është i gatshëm ta bëjë këtë në kushtet aktuale.
Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, parashikon se brenda 6 muajsh, banorët e Gazës do të ngjishen në një copë të vogël toke përgjatë kufirit egjiptian, ku “do të jenë plotësisht të dëshpëruar... duke kërkuar zhvendosjen për të filluar një jetë të re në vende të tjera”.
Dhe me këtë ritëm që po degradojnë gjëra, ai mund të ketë të drejtë. Gazetarë dhe ekspertë të tjerë, kanë spekuluar prej kohësh se Izraeli nuk ka plane për periudhën pas luftës. Ata e kritikojnë shtetin hebraik, pse preferon një pushtim të përhershëm, që do të lejonte një rikthim të ndërtimit të vendbanimeve izraelite apo një luftë të pafundme për të vonuar zgjedhjet dhe hetimet penale ndaj Netanyahut.
Është e vërtetë se shumë nga planet që janë zbuluar nga vëzhguesit e jashtëm, ose duket se ua kalojnë përgjegjësinë e qeverisjes të tjerëve ose anashkalojnë realitetet e ashpra në terren, siç është fakti se çdo autoritet lokal i autorizuar nga Izraeli për të qeverisur në Gaza, do të përballet me vrasjen nga ana e Hamasit.
Megjithatë, të thuash se Izraeli nuk ka një strategji, dhe të nënkuptosh se politikë-bërësit vetëm sa po kënaqin impulset e tyre më të këqija për brutalitet është e gabuar dhe injoron planet që është munduar të vërë në zbatim qeveria izraelite që nga 8 tetori 2023.
Mjafton të shohim Sirinë për të kuptuar se Izraeli po punon për të krijuar kushtet e nevojshme për zgjidhjen e situatës në Gaza. Ushtria izraelite, ka thënë se do të pushtojë Malin Hermon dhe zonën e zgjeruar të sigurisë përreth Kuneitrës për një kohë të pacaktuar.
Netanyahu ka lejuar vizitat historike të udhëheqësve fetarë sirianë druzë në Izrael dhe trajtimin mjekësor të druzëve sirianë në spitalet izraelite. Ai i ka joshur kurdët sirianë me oferta ndihme, në një kohë kur këta të fundit po bëjnë thirrje për decentralizim dhe autonomi rajonale.
Pra ekziston një përputhje midis interesave të SHBA-së dhe Izraelit. Të dyja palët janë të justifikuara në shqetësimet e tyre, se regjimi i ri në Damask është një ”ujk i veshur me lëkurë deleje”, që më vonë mund të kthehet në një shtet terrorist.
Ekziston një ngurrim i dukshëm për t’i besuar një grupi ish-luftëtarësh terroristë, dhe një dëshirë për të parë përparime konkrete nga Ahmed Al-Shara në një numër frontesh. Izraeli zotëron një numër të konsiderueshëm pikash presioni, nga të cilat mund të ushtrojë ndikim ndaj Damaskut, dhe afrimi i njëanshëm i SHBA-së do ta minonte këtë qasje.
Por njoftimi i Presidentit Trump se Shtetet e Bashkuara do të lehtësojnë sanksionet ndaj Sirisë, dhe vendimi i tij për t’u takuar me Al-Shara në Arabinë Saudite sugjeron se administrata është gati të vazhdojë me hapat e mëtejshëm për Damaskun, me ose pa Izraelin.
Në këto kushte, edhe qeveria izraelite po e lë të hapur mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me A-Shara. Marrëveshja do të bazohej tek tërheqja ushtarake izraelite nga pjesë e Sirisë Jugore, ulja e nivelit të kontaktit të drejtpërdrejtë me pakicat etnike dhe fetare, zbutje e raporteve me Turqinë, dhe një dritë jeshile për Uashingtonin për të rivendosur marrëdhënie të plota diplomatike me Sirinë, që të gjitha në këmbim të mirëseardhjes së qindra mijëra refugjatëve palestinezë nga Gaza nga Siria.
Nuk do të ishte hera e parë, që Siria do të mirëpriste një numër të madh refugjatësh palestinezë. Agjencia e OKB-së për Ndihmë dhe Punë (UNRWA), pretendon se ndihmon aktualisht 438.000 palestinezë në Siri. Shumica dërrmuese jetojnë në varfëri, edhe pse të paktën para Luftës Civile Siriane, ishin në kushte më të mira se palestinezët në shumë pjesë të tjera të rajonit.
Megjithatë, perspektiva e një marrëveshjeje izraelite me Sirinë për Gazën po trajtohet me shqetësim serioz në Gjirin Persik. Gjatë vizitës sime të fundit në shtetet arabe të Gjirit në fund të prillit, disa miq shprehën frikën për një marrëveshje të tillë.
Siria është ende një vend i shkatërruar nga lufta, me shumë pak vende ku mund të jetojnë refugjatët, veçanërisht tani që qeveritë evropiane po ndalojnë aplikimet për azil për sirianët, dhe kur ka presione në rritje që shumë prej tyre të kthehen në shtëpi.
Partnerët rajonalë që kanë shprehur hapur mbështetjen e tyre financiare dhe diplomatike për qeverinë kalimtare në Damask, siç është Arabia Saudite, do të përballeshin me një presion të fortë publik për ta denoncuar këtë veprim dhe qeverinë siriane.
Kjo do të nxiste tensionet midis komuniteteve në Siri, që tashmë po luftojnë për qasjen tek burimet e pakta dhe për një rol në qeverinë e re. E vetmja gjë që mund të ndihmojë në minimizimin e potencialit për konflikt, do të ishte mbështetja e fortë turke me ndihmë financiare dhe mesazhe pozitive mediatike.
Pyetja është nëse Shtëpia e Bardhë është e vetëdijshme se transferimi i pjesëve të mëdha të popullsisë palestineze, mund të krijojë paqëndrueshmëri të konsiderueshme diku tjetër dhe se Uashingtonit mund t’i duhet të ndërhyjë për të parandaluar ose zbutur ndikimin e konfliktit rajonal.
Zyrtarët e lartë amerikanë, shpresojnë ndoshta që izraelitët dhe turqit mund t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre dhe të arrijnë një marrëveshje, që e lejon Amerikën të mbajë distancë nga problemet që po shfaqen në Siri.
Megjithatë, asnjëra prej këtyre palëve mund të mos jetë e përgatitur të përballet me skenarin më të keq të një lufte civile të ripërtërirë në Siri. Nëse Trump e lidh politikën amerikane me ambiciet e Izraelit në Lindjen e Mesme, ai mund të jetë duke e sakrifikuar praktikën dhe pragmatizmin për një pikëpamje tepër optimiste të një rendi të ri rajonal. /Përshtati Pamfleti nga “National Interest”/
Lini një Përgjigje