Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi të dielën biseda telefonike me liderë të Lindjes së Mesme, një ditë pasi njoftoi se Shtetet e Bashkuara kanë nisur “operacione të mëdha luftarake” në Iran.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, bëri të ditur në platformën X se Trump ka folur me liderët e Izraelit, Bahreinit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Nuk u dhanë detaje mbi përmbajtjen e bisedimeve, por telefonatat vijnë në një moment përshkallëzimi të ndjeshëm të situatës në rajon.
Në të njëjtën deklaratë, Leavitt tha se presidenti është informuar edhe për një të shtënë me armë zjarri në zonën e argëtimit në Austin, Teksas. Byroja Federale e Hetimit (FBI) po shqyrton një “lidhje të mundshme me terrorizmin” në sulmin, i cili la të paktën tre persona të vdekur, përfshirë autorin e dyshuar, dhe 14 të plagosur.
Trump ka qëndruar në rezidencën e tij në Mar-a-Lago, në West Palm Beach, Florida, që nga e premtja, por pritet të kthehet në Shtëpinë e Bardhë gjatë ditës së sotme.
Lini një Përgjigje