TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Mars 2026, 20:30

Sulmet e SHBA, Merz: Pas vdekjes së Khameneit, të planifikojmë të ardhmen e Iranit

Shkruar nga Pamfleti
Sulmet e SHBA, Merz: Pas vdekjes së Khameneit, të planifikojmë
Trump-Merz

Kancelari gjerman Friedrich Merz u ka bërë thirrje partnerëve në SHBA dhe Evropë që të nisin planifikimin për të ardhmen e Iranit dhe të rajonit, pas zhvillimeve të fundit që çuan në vrasjen e liderit suprem iranian nga sulmet amerikane dhe izraelite.

Merz deklaroi se populli iranian “meriton një të ardhme më të mirë”, ndërsa theksoi se qeveria e tij është në një linjë me qëllimin e SHBA-së për t’i dhënë fund armatimit bërthamor të Teheranit dhe për të ndalur 'lojën shkatërruese' të Iranit në rajon. Megjithatë, kancelari paralajmëroi për rreziqet që mund të pasojnë.

“Kjo nuk është pa rrezik. Nuk e dimë se sa larg do të përshkallëzohet rajoni nga kundërsulmet e ashpra të Iranit”, u tha ai gazetarëve.

Duke reflektuar një qasje të kujdesshme ndaj veprimeve të SHBA-së dhe Izraelit, Merz shtoi se “tani nuk është koha për t’u dhënë leksione partnerëve dhe aleatëve”, pavarësisht rezervave që mund të ekzistojnë.

“Ne duam të punojmë me partnerët tanë në SHBA, Izrael, rajon dhe Evropë për të zhvilluar një axhendë për të nesërmen”, deklaroi ai.

Sipas Merz, katër objektivat kryesorë janë: garantimi i paqes dhe stabilitetit në rajon, bindja e Iranit për t’i dhënë fund programit bërthamor dhe atij të raketave balistike, kontribuimi në një të ardhme të qëndrueshme për vendin dhe mbështetja e iranianëve që të vendosin vetë për fatin e tyre.

Kancelari theksoi gjithashtu se Gjermania nuk do të tolerojë sulme ndaj institucioneve amerikane apo izraelite në territorin e saj.

Lini një Përgjigje