Sekretari amerikan i Shtetit do të takojë Parolinin të enjten dhe Tajanin e Crosetton të premten, ndërsa nuk dihet nëse do të ketë një audiencë nga Papa Leo apo një takim me Kryeministren Meloni...
Do të ketë shumë çështje për të sqaruar, aq sa zgjedhja nga ku të nisë nuk do të jetë e lehtë. Fillimisht do të ndalet në Vatikan, më pas do të kalojë te Qeveria italiane. Të enjten dhe të premten e ardhshme, sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, do të jetë në Romë për një seri takimesh me Selinë e Shenjtë dhe ekzekutivin italian. Fjala kyçe është “shkrirja” e marrëdhënieve dypalëshe. Një mision jo i pamundur, por shumë i ndërlikuar. Kjo është vizita e tretë e Rubios në Itali, pas asaj të majit të kaluar në Villa Madama dhe pjesëmarrjes në inaugurimin e Lojërave Olimpike Dimërore, së bashku me J.D. Vance, në shkurt.
Axhenda e vizitës së Rubios në Romë nuk është ende e përfunduar, por në të parashikohen 3 takime. Fillimisht ai do të takohet me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Pietro Parolin.
Donald Trump e ka cilësuar Papa Leone XIV “të dobët përballë kriminalitetit” dhe “të tmerrshëm në politikën e jashtme”, madje duke pretenduar edhe meritën për zgjedhjen e tij në krye të Kishës (“nëse nuk do të isha në Shtëpinë e Bardhë, ai nuk do të ishte Papa”). Këto deklarata kanë marrë përgjigje nga vetë Papa: “nuk jam politikan, do të vazhdoj të flas kundër luftës”.
Të nesërmen, Rubio do të takohet me ministrin e Jashtëm italian Antonio Tajani dhe po atë ditë do të marrë pjesë në një drekë pune me ministrin e Mbrojtjes Guido Crosetto. Nuk përjashtohet, por as nuk është konfirmuar, një takim mes sekretarit amerikan dhe kryeministres Giorgia Meloni: “dua ta takoj”, ka bërë të ditur ai. Ndërkohë mbetet pikëpyetje nëse Papa Leone XIV do t’i japë një audiencë.
Vizita e Rubios është paralajmëruar disa ditë më parë për qeverinë italiane përmes një letre të ambasadorit amerikan Tilman J. Fertitta, i cili prej javësh po punon me homologun e tij në Uashington, Marco Peronaci, për të rindërtuar “urën” mes Italisë dhe SHBA-së, e cila është dëmtuar nga sulmet verbale të Trump ndaj Melonit. Kjo e fundit është e vetëdijshme se marrëdhënia me ish-presidentin është bërë gjithnjë e më e ndërlikuar dhe politike.
Një moment kyç ishte intervista e Trump dhënë për Viviana Mazza të Corriere della Sera më 14 prill: 7 minuta kritika ndaj kryeministres italiane, si në plan personal ashtu edhe politik (“Mendoja se kishte guxim, por gabova: jam i tronditur, nuk është më e njëjta, nuk dëshiron të na ndihmojë”).
Shkaku lidhet me qëndrimin e Romës për luftën në Iran, si dhe me mbrojtjen që Meloni i ka bërë Papa Leone XIV (“Fjalë të papranueshme”). Pas javësh tensionesh dhe dallimesh qëndrimesh, përfshirë edhe çështjen Sigonella, Trump i ka shtuar sulmet ndaj qeverisë italiane. Situata është përshkallëzuar deri te kërcënimi i fundit për të goditur vendet e NATO-s që, sipas tij, nuk po e mbështesin në Iran. Ai ka paralajmëruar edhe tërheqjen e trupave amerikane nga Italia, Spanja dhe Gjermania. Italia aktualisht strehon shtatë baza strategjike dhe mes 13 mijë e 15 mijë ushtarë amerikanë.
Në këtë kontekst, Rubio pritet të luajë një rol ndërmjetësues, duke tentuar të përmirësojë marrëdhëniet me Vatikanin dhe të rikthejë dialogun mes dy liderëve, Giorgia Meloni dhe Donald Trump, të cilët pritet të takohen në samitin e G7 në Evian, në Zvicër, pas më pak se një muaji e gjysmë.
Kur tensionet u bënë publike, Meloni deklaroi se e “priste” reagimin e Trump, por njëkohësisht i ka shprehur solidaritet për atentatin ndaj tij dhe ka vlerësuar përpjekjet në negociatat mes Libanit dhe Izraelit. Megjithatë, marrëdhëniet diplomatike, ushtarake dhe ekonomike mbeten thelbësore, sidomos kur bëhet fjalë për SHBA-në: kjo është logjika e realpolitikës. /Përshtatur nga Corriere/
Lini një Përgjigje