Ushtria e Shteteve të Bashkuara përdori modelin e inteligjencës artificiale “Claude”, të zhvilluar nga kompania Anthropic, gjatë operacionit për arrestimin e presidentit venezuelian Nicolás Maduro, raportoi faqja amerikane Axios, duke cituar dy burime.
Sipas të njëjtave burime, zbulimi ka shkaktuar shqetësim në radhët e Departamentit amerikan të Mbrojtjes dhe mund të ndikojë në marrëdhëniet e bashkëpunimit me kompaninë. Një zyrtar i lartë i qeverisë amerikane deklaroi për Axios se Pentagoni do të rishqyrtojë bashkëpunimin me Anthropic pas raportimeve mbi përdorimin e modelit në operacion.
“Anthropic pyeti nëse softueri i saj u përdor në bastisjen me qëllim arrestimin e Maduro-s, gjë që shkaktoi shqetësim real në të gjithë Departamentin e Mbrojtjes, duke lënë të kuptohet se mund të mos e miratonin një përdorim të tillë nëse kjo rezulton e vërtetë”, tha zyrtari.
Ai shtoi se çdo kompani që do të vinte në rrezik suksesin operacional të forcave amerikane në terren është një kompani me të cilën duhet rishikuar bashkëpunimi në të ardhmen.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i Anthropic mohoi se kompania ka kërkuar informacion të tillë nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes.
Axios thekson se nuk ka mundur të konfirmojë rolin e saktë që ka luajtur modeli “Claude” në operacionin për arrestimin e Maduro-s. Sipas raportimit, ushtria amerikane e ka përdorur më parë këtë model për analizimin e imazheve satelitore dhe të dhënave të inteligjencës.
Burimet e cituara nga Axios pohuan se “Claude” u përdor gjatë zhvillimit të operacionit dhe jo vetëm në fazën përgatitore.
Lini një Përgjigje