Efektivi i Shqiponjave, Enea Mekolli, i vrarë një ditë më parë gjatë operacionit për kapjen e një të shumëkërkuarit Violand Braçellari, u përcoll për në banesën e fundit mes lotëve dhe duartrokitjeve të kolegëve, të afërmve dhe miqve.
Familjarë, të afërm, kolegë dhe përfaqësues të strukturave të Policisë së Shtetit u mblodhën për të nderuar 34-vjeçarin në homazhet që u zhvilluan nga ora 10:00-12:00 në Pallatin e Kulturës në Pogradec.
Mes dhimbjes dhe emocioneve të forta, kolegët e tij nga forca “Shqiponja” kanë nderuar kujtimin e Mekollit, duke e përcjellë me respekt dhe mirënjohje për shërbimin e tij në radhët e policisë.
Ndonëse protokolli shtetëror parashikon që Dëshmorët e Atdheut të prehen në varrezat e posaçme në Tiranë, familja ka kërkuar që Enea Mekolli të varroset në vendlindje.
Kjo kërkesë e familjes vjen për shkak se kanë patur edhe një djalë tjetër që ka qenë efektiv dhe që ka humbur jetën si pasojë e një sëmundjeje.
Ata donin që dy djemtë të prehen pranë njëri-tjetrit.
Vdekja e efektivit ka tronditur kolegët dhe opinionin publik, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Një ditë më parë, pranë familjes së të ndjerit për të shprehur ngushëllimet ishin Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Në operacionin që rezultoi i fundit për Mekollin, gjashtë efektivë të Shqiponjave u nisën me një furgon për të arrestuar të shumëkërkuarin Violand Braçellari, por ky i fundit hapi zjarr duke lënë të vdekur me një plumb në kohë efektivin Enea Mekolli dhe duke plagosur kolegun e tij, Edison Adri, me dy plumba në kokë e qafë.
Per fat te keq gjakun e policeve te thjeshte dhe te ndershem e kane tradhtuar drejtuesit dhe nivelet e larta te shtetit te cilet jane te zhytur ne krim dhe keqberje.Megjithate eshte me mire gjithmone te jesh viktime me ndergjegje sesa opresor pa ndergjegje.Ngushellime familjes per humbjen.U befte polic ne parajsen e madhe te Zotit