Një 20-vjeçar me origjinë nga Kosova ka humbur jetën të dielën pas një sulmi me armë zjarri në qytetin e Uppsalës, në Suedi. Viktima është identifikuar si Gent (Milot) Maksutaj, nga fshati Banjë i Istogut.
Sipas raportimeve të mediave suedeze, ngjarja dyshohet të ketë qenë një ekzekutim i planifikuar. Bazuar në informacionet paraprake, autori i dyshuar ka lëvizur me biçikletë drejt vendit të ngjarjes dhe ka qëlluar fillimisht 20-vjeçarin. Pasi viktima është rrëzuar në tokë, ai dyshohet se është afruar dhe ka qëlluar sërish ndaj tij.
Pas kryerjes së krimit, i dyshuari raportohet se është larguar nga zona me tren në drejtim të Stokholmit, ku më vonë është arrestuar nga policia suedeze.
Prokuroria suedeze ka njoftuar se për ngjarjen është ndaluar një person nën moshën 18 vjeç. Megjithatë, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që në këtë vrasje të kenë marrë pjesë edhe persona të tjerë.
Krimi ndodhi mbrëmjen e së dielës në zonën Kvarngärdet të Uppsalës, pasi policia mori një njoftim për të shtëna me armë zjarri rreth orës 21:00.
Autoritetet suedeze vijojnë hetimet për të sqaruar motivin e vrasjes dhe deri më tani nuk kanë konfirmuar nëse ngjarja ka lidhje me grupet e krimit të organizuar.
Lini një Përgjigje