Protestës qytetare që prej ditësh po zhvillohet para Kryeministrisë iu bashkua mbrëmjen e sotme edhe aktori i njohur Florian Binaj.
Mes duartrokitjeve të protestuesve, Binaj mbajti një fjalë të shkurtër, por me tone të forta ndaj qeverisë, ndërsa bëri thirrje për pjesëmarrje edhe në protestën e paralajmëruar në Rrjoll.
“Nesër të gjithë në 10 të shkojmë dhe t’u bashkohemi protestuesve në Rrjoll. Atë që u ke bërë shqiptarëve ta bëftë karma 10-fish”, deklaroi Binaj nga podiumi.
Prania e aktorit u prit me entuziazëm nga pjesëmarrësit, ndërsa ai u bë një nga figurat publike që ka zgjedhur të mbështesë hapur lëvizjen qytetare që tashmë ka hyrë në javën e tretë të saj.
Pas tij, në podium mori fjalën edhe një qytetare, e cila e lidhi festën e 35-vjetorit të Partisë Socialiste, të zhvilluar vetëm pak metra larg protestës, me trashëgiminë e ish-Partisë së Punës.
“Këto janë ditë të bukura dhe emocionuese, ka domethënie historike për të gjithë ne. Ajo që nuk ka shkuar që prej fillimit me këtë histori nuk është investitori, por mënyra si u trajtuan shqiptarët dhe hapat e ndjekur nga qeveritarët. Ish-Partia e Punës, që sot feston 35-vjetorin, qëkur ka ndryshuar emrin, ka vazhduar të prodhojë të njëjtën frymë pushteti dhe të njëjtën sjellje ndaj qytetarëve”, u shpreh ajo.
Qytetarja akuzoi socialistët për mungesë reflektimi dhe për përdorimin e presionit ndaj njerëzve që shprehin mendime ndryshe.
“Socialistët mirëbesojnë hajdutin. Nuk njohin as SPAK-un, as ligjin, nuk kanë asnjë frikë. I vetmi mjet që përdorin është presioni psikologjik ndaj çdo qytetari që shpreh edhe shqetësimin më të vogël. Kjo është ajo që po shohim prej vitesh dhe kjo është arsyeja pse kaq shumë njerëz kanë dalë në shesh”, deklaroi protestuesja.
Mbrëmja e sotme shënoi një tjetër tubim masiv para Kryeministrisë, ku qytetarë të ardhur nga zona të ndryshme të vendit përsëritën kërkesat për ndryshim politik dhe largimin e klasës së vjetër politike nga drejtimi i vendit.
Ndërkohë, organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se lëvizja tashmë ka kaluar kufijtë e një kauze të vetme dhe është shndërruar në një revoltë më të gjerë kundër mënyrës së qeverisjes dhe establishmentit politik në Shqipëri.
Lini një Përgjigje