
Pika kufitare e Morinës është përballur me një fluks të shtuar udhëtarësh dhe automjetesh në nisje të fundjavës, teksa shumë qytetarë nga Kosova kanë zgjedhur të kalojnë ditët e pushimit në bregdetin shqiptar.
Radhët e automjeteve janë shtuar që në orët e para të ditës, me destinacion kryesor qytetet turistike përgjatë vijës bregdetare. Pushuesit thonë se kushtet e mira atmosferike dhe kostot e përballueshme mbeten faktorët kryesorë që i tërheqin drejt Shqipërisë.
“Koha është shumë e mirë dhe deti është alternativa më e mirë për të kaluar fundjavën me familjen. Edhe çmimet janë të arsyeshme”, u shprehën disa prej udhëtarëve.
Lëvizja më e shpejtë në kufi është favorizuar edhe nga procedurat e thjeshtuara të kalimit, të cilat janë në fuqi që prej 1 majit. Falë kësaj marrëveshjeje, automjetet me targa të Shqipërisë dhe Kosovës kalojnë pa kontrolle të detajuara, duke shmangur vonesat dhe pritjet e gjata.
Sipas Policisë Kufitare, gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri kanë hyrë mbi 26 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj. Autoritetet presin që numri i vizitorëve të vijojë të rritet gjatë gjithë fundjavës, veçanërisht në zonat turistike bregdetare.
Lini një Përgjigje