Zbulohet skema se si tjetërsoheshin pronat shtetërore në bregdetin e Durrësit. Hetimi u regjistrua pas një kontrolli të kryer në arkivin e regjistrave hipotekorë të këtij qyteti, ku u konstatuan parregullsi të rënda dhe ndërhyrje të paligjshme në dokumentacionin zyrtar. Inventarizimi i 1.063 regjistrave hipotekorë tregoi se vetëm 152 prej tyre ishin të rregullt, ndërsa 908 paraqisnin dëmtime ose shenja manipulimi.
Sipas dosjes hetimore, u konstatuan 730 faqe të munguara, 243 faqe të zëvendësuara, 569 faqe të dubluara, 25 faqe të grisura dhe 1.548 faqe bosh. Gjithashtu, hetuesit gjetën faqe të futura jashtë rendit kronologjik, të shkëputura nga volumet apo të printuara në forma të ndryshme, elemente që, sipas Prokurorisë, tregojnë për ndërhyrje të qëllimshme në regjistrat e pronave.
“Nga ky raport rezulton qartë se në regjistrat hipotekorë dhe në volumet fizike janë konstatuar mungesa të shumta, si dhe ndërhyrje të paligjshme. Konkretisht, gjatë inventarizimit është konstatuar se një numër i konsiderueshëm regjistrash hipotekorë paraqesin dëmtime të ndryshme, faqe bosh, faqe të dëmtuara ose të grisura, faqe të vendosura jashtë rendit kronologjik, faqe që mungojnë tërësisht, faqe të zëvendësuara, faqe që dallojnë dukshëm nga njëra-tjetra si për nga forma, ashtu edhe për nga lloji i shtypshkronjës, si dhe faqe të shkëputura nga boshti i volumit. Nga inventarizimi i 1.063 regjistrave hipotekorë rezulton se vetëm 152 prej tyre nuk paraqesin dëmtime, ndërsa 908 rezultojnë të dëmtuar. Sipas këtij inventari, mungojnë tërësisht 730 faqe, 243 faqe janë zëvendësuar, 569 faqe rezultojnë të dubluara, 25 faqe janë të grisura dhe 1.548 faqe janë bosh”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Nga hetimet janë identifikuar sipërfaqe të mëdha toke në zonën bregdetare të Durrësit që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të paligjshme përmes falsifikimit të dokumenteve të pronësisë. Këto pasuri janë vendosur nën sekuestro preventive, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar përmasat e plota të skemës dhe personat e tjerë që mund të jenë përfshirë.
Gjykata ka caktuar masën "arrest me burg" për Ramazan Sheshin, Adrian Konën, Bledar Zerbën dhe Rovin Zeqjan. Masën "arrest në shtëpi" e kanë marrë Shaqir Sheshi, Viktor Mataj, Arianit Mataj dhe Besnik Xhafa, ndërsa "detyrim për paraqitje" është caktuar për Fiqeret Xhafën, Jonida Mergejën, Leandro Dervishin dhe Artur Çobanin.
Kjo nuk është hera e parë që Durrësi përballet me një skemë të dyshuar të tjetërsimit të pronave.
Lini një Përgjigje