Dalin emrat e 12 personave, ndaj të cilëve Gjykata ka caktuar masa sigurie në kuadër të hetimit për skemën e dyshuar të tjetërsimit të pronave shtetërore në Durrës. Bëhet fjalë për ish-funksionarë të Hipotekës së Durrësit, si edhe persona që dyshohet se kanë përfituar prona në mënyrë të paligjshme, përmes manipulimit të dokumentacionit të pronësisë.
Masat e sigurisë janë vendosur pas një hetimi disa vjeçar të Prokurorisë së Durrësit, e cila po heton një sërë veprash penale që lidhen me administrimin dhe regjistrimin e pronave. Të dyshuarit akuzohen për veprat penale të mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Hetimi nisi pas një procesi të detajuar inventarizimi të regjistrave hipotekorë në Drejtorinë Vendore të Kadastrës Durrës, ku u zbuluan parregullsi të shumta që ngritën dyshime për ndërhyrje të qëllimshme në dokumentacionin zyrtar. Nga 1.063 regjistra të kontrolluar, vetëm 152 rezultuan të rregullt, ndërsa në pjesën dërrmuese të tyre u konstatuan probleme serioze.
Sipas dosjes hetimore, janë evidentuar faqe të zhdukura, të zëvendësuara, të dubluara dhe të dëmtuara, të cilat dyshohet se janë përdorur për të manipuluar të dhënat e pronësisë dhe për të kaluar prona shtetërore në favor të personave privatë. Prokuroria dyshon se nuk bëhet fjalë për shkelje të izoluara, por për një mekanizëm të mirëorganizuar që ka funksionuar për një periudhë të gjatë.
Personat ndaj të cilëve janë caktuar masat e sigurisë janë:
Ramazan Sheshi – arrest me burg, i dyshuar për "Mashtrim", "Falsifikim të dokumenteve" dhe "Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale".
Adrian Kona – arrest me burg, i dyshuar për "Falsifikim të dokumenteve" dhe "Shpërdorim të detyrës".
Bledar Zerba – arrest me burg, i dyshuar për "Falsifikim të dokumenteve" dhe "Shpërdorim të detyrës".
Rovin Zeqja – arrest me burg, i dyshuar për "Falsifikim të dokumenteve" dhe "Shpërdorim të detyrës".
Shaqir Sheshi – arrest në shtëpi, i dyshuar për "Mashtrim" dhe "Falsifikim të dokumenteve".
Viktor Mataj – arrest në shtëpi, i dyshuar për "Mashtrim" dhe "Falsifikim të dokumenteve".
Arianit Mataj – arrest në shtëpi, i dyshuar për "Mashtrim" dhe "Falsifikim të dokumenteve".
Besnik Xhafa – arrest në shtëpi, i dyshuar për "Mashtrim" dhe "Falsifikim të dokumenteve".
Fiqeret Xhafa – detyrim për paraqitje, i dyshuar për "Mashtrim", "Falsifikim të dokumenteve" dhe "Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale".
Jonida Mergeja – detyrim për paraqitje, e dyshuar për "Shpërdorim të detyrës".
Leandro Dervishi – detyrim për paraqitje, i dyshuar për "Shpërdorim të detyrës".
Artur Çobani – detyrim për paraqitje, i dyshuar për "Shpërdorim të detyrës".
Lini një Përgjigje