Për herë të parë në vite, diaspora nuk u kthye në Shqipëri për pushime. Mijëra emigrantë mbërritën në Tiranë për t'iu bashkuar protestës së 21-të, duke dërguar një mesazh të fortë jo vetëm për Edi Ramën, por për gjithë klasën politike që ka dominuar vendin prej 35 vitesh.
Një nga zhvillimet më domethënëse të protestës së 21-të kundër qeverisë ishte pa dyshim hyrja në skenë e diasporës.
Nga Londra, Milano, Frankfurti, Athina e deri në Shtetet e Bashkuara, shqiptarë që prej vitesh jetojnë jashtë vendit mbushën bulevardin e Tiranës, duke e kthyer protestën në demonstrimin më të madh të forcës që ka njohur kjo lëvizje që prej nisjes së saj pas ngjarjeve në Zvërnec.
Por mesazhi i emigrantëve nuk ishte vetëm kundër Edi Ramës.
Nga foltorja e protestës u dëgjuan vazhdimisht thirrje kundër gjithë klasës politike, ndërsa slogani "Rama në burg, Berisha në burg" u bë një nga refrenet më të forta të mbrëmjes.
"Qytetarët kanë një kërkesë të thjeshtë: Rama në burg, Berisha në burg", deklaroi një protestuese, duke shtuar se qëllimi i lëvizjes është krijimi i një klase të re politike të papërlyer.

Për emigrantët, problemi nuk është vetëm qeveria aktuale, por një model politik që sipas tyre ka detyruar miliona shqiptarë të largohen nga vendi.
"Edi Rama nuk t'i fal kurrë lotët e nënës time kur na përcillte për në Britani. Gabove rëndë sepse mërgata është këtu. Rama jep dorëheqjen. Koha juaj ka marrë fund", tha një protestues i ardhur nga Londra.
Një tjetër shqiptar, që kishte udhëtuar nga Frankfurti për të qenë në protestë, tha se arsyeja e pjesëmarrjes ishte dëshira që brezat e rinj të mos detyrohen të largohen si emigrantë.
"Nuk duam që ata të përfundojnë emigrantë si ne dhe duam të kemi mundësi të kthehemi", u shpreh ai.

Ndërsa një emigrante nga Milano iu drejtua kryeministrit me një mesazh simbolik.
"Jemi të gjitha votat që ke vjedhur në diasporë këtu sonte", deklaroi ajo nga podiumi i protestës.
Pjesëmarrja masive e diasporës ishte ndoshta goditja më e fortë politike e protestës së sotme. Për vite me radhë, emigrantët janë konsideruar një rezervuar votash, remitancash dhe mbështetjeje nga larg. Por mbrëmjen e sotme ata u shfaqën si aktorë politikë në terren.

Mes flamujve kuqezi, thirrjeve për dorëheqjen e Ramës dhe refuzimit të politikës tradicionale, diaspora dërgoi një mesazh të qartë: pakënaqësia nuk kufizohet më brenda kufijve të Shqipërisë.
Dhe ndoshta për herë të parë pas shumë vitesh, zemërimi i emigrantëve nuk u shpreh nga larg, por në zemër të Tiranës, përballë Kryeministrisë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje