Protesta e 21-të kundër qeverisë po vijon edhe pas përfundimit të fjalimeve, ndërsa mijëra qytetarë kanë nisur marshime të vazhdueshme rreth godinës së Kryeministrisë.
Me flamuj kuqezi në duar dhe nën thirrjet "Rama ik", "Rama në burg" dhe "Shqipëri e Re", protestuesit po qarkullojnë pa ndërprerje përreth selisë së qeverisë, duke krijuar një unazë njerëzish rreth institucionit.
Pamjet nga terreni tregojnë një fluks të pandërprerë qytetarësh që vijojnë të marshojnë në formë rrethore, ndërsa protesta mbetet aktive edhe në orët e mbrëmjes.
Pjesëmarrësit e konsiderojnë këtë një simbolikë të fortë ndaj qeverisë, në një protestë që ka hyrë në ditën e 21-të dhe që ka sjellë në Tiranë edhe qindra shqiptarë nga diaspora.
Marshimi i vazhdueshëm rreth Kryeministrisë është shoqëruar me brohoritje dhe thirrje kundër qeverisë, ndërsa protestuesit kanë përsëritur kërkesën e tyre kryesore për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Pas mbushjes së bulevardit me dhjetëra mijëra qytetarë, protesta po vazhdon me një tjetër formë presioni simbolik, duke e mbajtur të rrethuar godinën e Kryeministrisë me një lumë të pandërprerë protestuesish që vijojnë të bëjnë xhiro rreth saj.
Lini një Përgjigje