
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka denoncuar një tjetër rast të ndotjes në Tiranë, duke akuzuar Policinë Bashkiake, Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Eco Tiranën për mosveprim.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Braçe shfaq mbeturinat e grumbulluara në rrugën kryesore të Selitës, ndërsa, sipas tij, efektivët e Policisë Bashkiake ndodhen vetëm pak metra larg, pa ndërhyrë.
"Ose bëni punën, ose shporruni! Kaq e thjeshtë është!", shprehet Braçe në video.
Në reagimin që shoqëron pamjet, deputeti thotë se problemi nuk qëndron vetëm te personat që ndotin, por edhe te institucionet që, sipas tij, nuk kryejnë detyrën.
"Tirana/5, në territor duke bërë punën e Policisë së Bashkisë, Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, EcoTirana; Dje u pastrua, sot pika në pjesën e poshtme të Selitës, në rrugë kryesore, u ndot kështu!
Ju thashë dje që nuk kam punë me pisat e qelbësit në këtë qytet; kam punë me Policinë e Bashkisë që nuk është në punë e për punë, kam punë me AMK që nuk është në punë e për punë, Eco Tirana që nuk ka kaluar akoma këtu nga dje e mbi të gjitha që nuk vendos një numër telefoni e një adresë për dyshekë e çdo mbetje që nuk është inerte!", shkruan ai.
Braçe pretendon se gjatë kohës që ai ndodhej në zonë, arriti të ndalonte dy automjete që po tentonin të shkarkonin mbetje, ndërsa thekson se Policia Bashkiake nuk reagoi.
"Ndërkohë që unë bëja rojen lart dhe përzura dy furgonë që donin të derdhnin mbetje inerte, pra unë, polici i bashkisë, shihni ku është Policia e Bashkisë, përballë dhe mes paligjshmërisë duke bërë sehir e luajtur me telefona në makinë, në rrugën dytësore përballë me Selitën, në hyrje të lagjes 'Irfan Tomini'!
Doni më për një strukturë që funksionon veç si gjobë!", tha deputeti.
Në përfundim të reagimit të tij, deputeti shton se pakënaqësia e qytetarëve lidhet me mosfunksionimin e strukturave përgjegjëse.
"Ndaj që ta kuptoni se kam një vit që flas e flas, pakënaqësinë në këtë qytet e shkaktojnë ata që nuk bëjnë asnjë punë; jo unë që dua punën!", shprehet Braçe.
Lini një Përgjigje