TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Maj 2026, 19:02

Pacolli merr kontrollin e Aeroportit të Vlorës, Gjykata e Lartë rrëzon Ademin

Shkruar nga Pamfleti
Pacolli merr kontrollin e Aeroportit të Vlorës, Gjykata e Lartë
Rama-Pacolli

Përplasje milionash për Aeroportin e Vlorës/ Gjykata e Lartë vendos në favor të Pacollit

Gjykata e Lartë ka kthyer përmbys një nga vendimet më të rëndësishme të betejës ligjore për kontrollin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke i dhënë një fitore të rëndësishme biznesmenit Behgjet Pacolli në konfliktin me ish-ortakun e tij, Valon Ademi.

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vendosi të rrëzojë kërkesën për sigurimin e padisë të paraqitur nga kompanitë “Vlora International Airport” dhe “2A Group”, duke ndryshuar kështu vendimet e mëparshme të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Apelit në Tiranë, të cilat kishin pranuar pezullimin e disa procedurave administrative brenda kompanisë koncesionare që menaxhon aeroportin.

Në thelb, vendimi i Gjykatës së Lartë i hap rrugë rikthimit të kontrollit të plotë të “Mabco Constructions SA”, kompania e lidhur me Behgjet Pacollin, mbi vendimmarrjen në shoqërinë koncesionare të aeroportit.

Përplasja mes Pacollit dhe Valon Ademit është kthyer prej muajsh në një luftë të ashpër biznesi dhe gjyqesh për kontrollin e një prej projekteve më strategjike të qeverisë shqiptare. Dy biznesmenët, që prej vitesh njiheshin si ortakë të afërt dhe bashkëpunëtorë në disa sipërmarrje, u përfshinë në konflikt pasi kompania “2A Group” pretendoi se kishte fituar të drejtën mbi një pjesë më të madhe të aksioneve të aeroportit.

Zyrtarisht, struktura e aksioneve të koncesionit të Aeroportit të Vlorës është 98% në pronësi të “Mabco” të Behgjet Pacollit dhe 2% në pronësi të “2A Group” të Valon Ademit. Por Ademi pretendon se ka investuar shuma shumë më të mëdha në projekt dhe se këto investime duhet të reflektohen në rritjen e pjesës së tij në kompani.

Konflikti shpërtheu publikisht pasi “2A Group” pretendoi se kishte blerë 49% të kuotave të “Mabco Constructions” përmes një kontrate transferimi të lidhur në prill 2025. Pikërisht kjo kontratë u bë objekti kryesor i përplasjes gjyqësore.

Më herët, Gjykata e Tiranës kishte pranuar kërkesën për sigurimin e padisë dhe kishte vendosur pezullimin e çdo vendimmarrjeje në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve të “Vlora International Airport”, ndërsa kishte pezulluar edhe të drejtën e votës së “Mabco Constructions SA”, me argumentin se kontrata e transferimit të kuotave nuk ishte regjistruar.

Por tashmë Gjykata e Lartë ka rrëzuar këtë masë sigurie, duke i dhënë avantazh Pacollit në luftën për kontrollin e aeroportit.

Përplasja mes palëve ka sjellë tensione edhe në kantierin e ndërtimit të aeroportit. Prej ditësh punonjësit e kompanisë “Mabco” nuk janë lejuar të futen në kantier, çka ka ngritur shqetësime edhe për ecurinë e punimeve.

Ndërkohë, beteja nuk po zhvillohet vetëm në gjykatat civile dhe administrative. Paralelisht, Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim penal lidhur me konfliktin mbi aksionet e aeroportit.

Në fokus të hetimit janë biznesmeni Behgjet Pacolli, vëllai i tij Emin Pacolli dhe Nelson Çela, ish-administrator i “Mabco Construction SA”. Sipas burimeve nga organi i akuzës, hetimi është regjistruar për veprat penale të mashtrimit me pasoja të rënda, mashtrimit kompjuterik dhe falsifikimit të dokumenteve.

Hetuesit po verifikojnë mënyrën e transferimit të aksioneve dhe regjistrimin e tyre, ndërsa dyshohet se në këtë proces mund të jenë përdorur dokumente dhe procedura në kundërshtim me ligjin tregtar.

Një element që ka tërhequr vëmendjen është edhe largimi i Nelson Çelës nga posti i administratorit të kompanisë. Sipas informacioneve, ai ka dhënë dëshmi në Prokurorinë e Tiranës dhe më pas ka firmosur dorëheqjen, një lëvizje që shihet si përpjekje për t’u distancuar nga përgjegjësitë në hetimin penal.

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend, me një investim prej rreth 104 milionë eurosh dhe një sipërfaqe prej 309 hektarësh në zonën e Akërnisë.

Ndërtimi nisi në vitin 2021 nga një konsorcium ku fillimisht 50% e aksioneve zotëroheshin nga “Mabetex” e Behgjet Pacollit, 48% nga kompania turke “YDA Group” dhe 2% nga “2A Group”. Por tërheqja e kompanisë turke nga projekti ndryshoi të gjithë ekuilibrat mes ortakëve dhe hapi konfliktin që tashmë ka përfunduar në gjykata dhe në prokurori.

Përplasja mes Pacollit dhe Ademit po konsiderohet si një nga konfliktet më të forta të biznesit në Shqipëri vitet e fundit, ndërsa vendimi i Gjykatës së Lartë pritet të ndikojë drejtpërdrejt në kontrollin dhe vijimin e punimeve për aeroportin strategjik të jugut të vendit. /Pamfleti

 

pacolli rama

3 Komente

  1. F
    Filip

    Kur Drejtesia vepron drejte sa thjeshte duken gjerat????‍♂️

    1. D
      Dardan

      E po te hetohet dhe menyra e piset e ketyre shtazeve hajdute, si i kane siguruar parate, cjane keto cmime sikur blen 4 ton domate e mbi te gjitha pse e si u vendos te behej kjo kak veper super vjedhjeje e padrejte

      1. B
        BP

        Është e pabesueshme se si një 2-përqindësh do të marrë pronësinë edhe të 98-përqindëshit. Qartazi kemi të bëjmë me një rast tipik të tentativës së vjedhjes me ndihmën e shtetit, ashtu siç ndodh përditë në Shqipëri. Kërcënimet e llapaqenllëqet e 2-përqindëshit ishin shenja e parë. Policia në vend që të mbrojë, bllokon punimet duke bërë çfarë i thotë 2-përqindëshi, qeveria, dhe mafiozët që e duan aeroportin si pikë transporti të miellit kolumbian e duan me 2-përqindëshin. Pacolli ka thënë se do ia kalojë shtetit shqiptar—unë e besoj. Sigurisht që ai do të marrë investimin, por kaq. Unë i besoj, se ai nuk ka bërë kurrë para në kurriz të shqiptarëve dhe gjithmonë ka ndihmuar.

        Lini një Përgjigje