TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Maj 2026, 17:14

Me plisa dhe flamuj, studentët nisin protestën në Tiranë në mbështetje të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut!

Shkruar nga Pamfleti
Me plisa dhe flamuj, studentët nisin protestën në Tiranë
Protesta e studentëve në Tiranë

Sheshi “Skënderbej” është mbushur pasditen e sotme me studentë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët u bashkuan në një protestë solidarizuese në mbështetje të studentëve shqiptarë në Shkup.

Tubimi u organizua me moton “Shqiptaria është me Shkupin”, ndërsa pjesëmarrësit kërkojnë respektimin e të drejtave të shqiptarëve në sistemin arsimor në Maqedoninë e Veriut.

Të rinjtë u panë të mbanin flamuj kombëtarë, pankarta dhe simbole tradicionale shqiptare, ndërsa atmosfera e protestës u shoqërua me ritmet e tupanëve dhe thirrje në mbështetje të studentëve shqiptarë në Shkup. Pas grumbullimit në qendër të Tiranës, protestuesit nisën marshimin drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut.

Studentët theksuan se protesta nuk ka karakter politik dhe se qëllimi i saj është vetëm mbështetja qytetare dhe kombëtare ndaj bashkëmoshatarëve të tyre që kërkojnë të drejtën për të zhvilluar provimet në gjuhën shqipe. Organizatorët u bënë thirrje pjesëmarrësve që të shmangin mesazhet apo simbolet politike gjatë protestës.

Sipas deklaratave të dhëna nga vetë studentët disa ditë më parë, pjesëmarrja në protestë ishte paralajmëruar të ishte më e gjerë, me të rinj që kanë udhëtuar edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut për t’u bërë pjesë e marshimit në Tiranë.

Protesta vjen në një moment kur çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet arsimore në Maqedoninë e Veriut ka rikthyer debat dhe reagime të shumta në opinionin publik shqiptar.

protesta e studentëve në tiranë

Lini një Përgjigje