Protesta e zhvilluar në Tiranë në mbështetje të gjuhës shqipe dhe studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut është shoqëruar me mesazhe solidariteti dhe mbështetjeje nga të rinjtë shqiptarë.
Një prej studentëve të pranishëm në tubim deklaroi se studentët shqiptarë në RMV nuk janë vetëm dhe se bashkëmoshatarët e tyre nga Shqipëria dhe Kosova do t’u qëndrojnë pranë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
“Ata menduan se studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut janë vetëm, por harruan se një Shqipëri e tërë ka sytë e mendjes e zemrës mbi ta”, u shpreh studenti gjatë fjalës së tij.
Ai akuzoi politikën në Maqedoninë e Veriut se ka injoruar çështjen e gjuhës shqipe dhe problemet e studentëve shqiptarë, ndërsa tha se të rinjtë po bëjnë atë që sipas tij duhet të kishin bërë vetë politikanët.
“Shija e pushtetit u bëri gjakun ujë disave dhe i bëri të pyesin nëse vlen ose nuk vlen kauza. Studentë shqiptarë u gjendën nën terror psikologjik, 8 orë rrugëve të Maqedonisë, por nga dëshpërimi për pushtet injoruan atë që i solli në pushtet, gjuhën shqipe”, deklaroi ai.
Sipas studentit, përpjekjet për të minimizuar reagimin e studentëve shqiptarë nuk do të kenë sukses, pasi gjuha shqipe dhe identiteti kombëtar janë të shenjta për shqiptarët.
“Për ne gjuha shqipe është e shenjtë. Kapur pas flamurit dhe gjuhës shqipe, shqiptarët i kanë mbijetuar shekujve”, tha ai.
Në fund të fjalës së tij, studenti dha një mesazh të fortë mbështetjeje për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
“Shqiptaria nuk di të ndalet, ne do të jemi me ta deri në fund, deri në realizimin e kërkesave të tyre!”, përfundoi ai.
Lini një Përgjigje