TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Maj 2026, 17:41

"Nuk kërkojmë leje për gjuhën tonë”, studentët marshojnë drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti

"Nuk kërkojmë leje për gjuhën tonë”,

Studentë nga Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Prishtinës kanë nisur një marshim në kryeqytet, në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut që kërkojnë të drejtën për të zhvilluar provimet në gjuhën shqipe.

Me moton “Shqiptaria është me Shkupin”, të rinjtë u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë.

Gjatë tubimit, një student nga Maqedonia e Veriut mbajti një fjalim të fortë në mbrojtje të gjuhës shqipe, duke theksuar se ajo është pjesë e pandashme e identitetit kombëtar shqiptar dhe nuk mund të vihet në diskutim.

“Na thanë se jemi vetëm, se do të lodhemi! E kishin gabim! Kush foli për ju, kush flet për ne, heshtën? Kur vjen dita për të zgjedhur mes karriges dhe gjuhës amtare, zgjedhin karrigen! Ne jo, ne nuk heshtim. Gjuha shqipe është kujtesa jonë, amaneti që na kanë lënë brezat që nuk u përkulën kurrë", u shpreh ai.

Ai theksoi se gjuha shqipe ka qenë elementi që ka mbajtur gjallë shqiptarët ndër shekuj, pavarësisht pushtimeve dhe ndarjeve.

“Gjuha na mbajti gjallë kur perandoritë erdhën dhe ranë. Gjuha na bashkoi kur na ndanë. Sot na thonë se duhet të kërkojmë leje për ta përdorur? Jo, kurrë! Ne s’kemi karrige për të ruajtur! Ne kemi vetëm gjuhën tonë!", vijoi studenti.

Sipas protestuesve, çështja që nisi si problem për studentët e drejtësisë tashmë është kthyer në një çështje kombëtare.

“Ajo që nisi si problem i kolegëve në drejtësi, sot po kthehet në problem kombëtar. Ne nuk kërkojmë privilegje, vetëm barazi dhe respekt për atë që na takon", tha ai.

Studentët deklaruan se protesta nuk ka karakter politik dhe u bënë thirrje personave me bindje politike të mos i bashkohen marshimit. Ata paralajmëruan se nuk do të tërhiqen derisa të garantohet zhvillimi i provimeve në gjuhën shqipe.

“Sot na takon vetëm një mesazh: ne jemi një dhe të tillë do të qëndrojmë! Bashkë në çdo sfidë, në mbrojtje të identitetit, gjuhës!”, shprehen studentët.

studente marshim maqedonia e veriut

Lini një Përgjigje