Qytetarët mblidhen sërish para Kryeministrisë: "Rama, jep dorëheqjen!"
Qytetarët janë mbledhur edhe këtë të shtunë përpara godinës së Kryeministrisë, në ditën e 49-të të protestës së tyre, duke vijuar kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e gjithë kastës politike.
Ajo që nisi si një reagim kundër projektit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit është shndërruar tashmë në një lëvizje të gjerë qytetare, ku protestuesit akuzojnë qeverinë për korrupsion, keqqeverisje dhe kapje të institucioneve, ndërsa kërkojnë një ndryshim të sistemit politik.
Qindra qytetarë janë grumbulluar fillimisht në sheshin "Skënderbej", ndërsa më pas do të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë. Ashtu si në ditët e mëparshme, tubimi do të shoqërohet me fjalime të aktivistëve dhe qytetarëve, të cilët do të denoncojnë, sipas tyre, dështimet e qeverisë, situatën ekonomike dhe standardin e jetesës në vend.
Protestuesit kanë bërë të qartë se nuk do të tërhiqen derisa kryeministri Edi Rama të japë dorëheqjen. Njëkohësisht, ata kërkojnë largimin edhe të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, si dhe të gjithë klasës politike që, sipas tyre, ka mbajtur peng vendin prej më shumë se tre dekadash.
Edhe protesta e sotme pritet të shoqërohet me brohoritje, këngë patriotike dhe pankarta me mesazhe ironike drejtuar qeverisë dhe politikës. Thirrje si "Rama ik!", "Berisha ik!", "Ikni të gjithë!", "Poshtë kasta politike!", "Duam Shqipërinë si gjithë Europa!", "Jep dorëheqjen!" dhe "Ju erdhi fundi!" janë kthyer tashmë në sloganet kryesore të kësaj lëvizjeje.
Ndërkohë, organizatorët kanë njoftuar edhe një ndryshim të rëndësishëm në kalendarin e protestave. Në vend të tubimit të zakonshëm pasdite para Kryeministrisë, më 23 korrik protesta do të zhvillohet paradite përpara Kuvendit të Shqipërisë, në të njëjtën kohë me seancën e fundit plenare të këtij sesioni parlamentar.
Sipas organizatorëve, prania e qytetarëve para Parlamentit gjatë zhvillimit të seancës synon të ushtrojë më shumë presion ndaj deputetëve përpara mbylljes së punimeve të Kuvendit për pushimet verore.
Pas 49 ditësh radhazi në shesh, organizatorët këmbëngulin se protesta do të vazhdojë çdo ditë deri në plotësimin e kërkesave të saj, ndërsa i bëjnë thirrje qytetarëve t'i bashkohen edhe protestës së paralajmëruar para Kuvendit më 23 korrik.
Lini një Përgjigje