Pas më shumë se tre orësh protestë para Kryeministrisë, qytetarët kanë vijuar marshimet në rrugët e Tiranës, duke u shpërndarë në disa grupe dhe duke bllokuar qarkullimin në një sërë aksesh kryesore të kryeqytetit.
Sipas pamjeve nga terreni, protestuesit kanë lëvizur në këmbë përgjatë bulevardit dhe rrugëve përreth qendrës së Tiranës, ndërsa nuk kanë munguar thirrjet dhe brohoritjet kundër qeverisë dhe projektit që parashikohet të ndërtohet në zonën e Zvërnecit.
Pjesëmarrësit janë ndarë në disa grupe, duke u shpërndarë në zona të ndryshme të qytetit. Si pasojë e marshimit, është rënduar ndjeshëm trafiku në zonën e njohur si 9-Katëshet, pranë 15-Katëshit, si dhe në segmentet që lidhin qendrën e Tiranës me Rrugën e Durrësit.
Pamjet tregojnë qindra qytetarë që kanë pushtuar korsitë e qarkullimit, duke detyruar automjetet të lëvizin me vështirësi ose të ndalojnë për periudha të caktuara. Në disa pika janë krijuar radhë të gjata automjetesh, ndërsa drejtuesit e mjeteve janë përballur me vonesa në lëvizje.

Marshimi vjen pas protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, ku qytetarët kërkuan pezullimin e projektit në Zvërnec, heqjen e gardhit të vendosur në zonë dhe anulimin e një sërë nismash ligjore që sipas tyre favorizojnë investimet në dëm të pasurive publike dhe zonave të mbrojtura.

Organizatorët kanë paralajmëruar se reagimet qytetare do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke theksuar se kundërshtimi ndaj projektit nuk do të ndalet vetëm me protestat e zhvilluara deri tani.




Lini një Përgjigje