
Fluksi i udhëtarëve në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës ka arritur nivele rekord gjatë muajve maj dhe qershor. Mbi 2 milionë hyrje-dalje janë përpunuar në pikat kufitare të qarkut Kukës, teksa mijëra qytetarë nga Kosova kanë zgjedhur bregdetin shqiptar, Parkun Kombëtar të Valbonës dhe destinacione të tjera turistike për të kaluar fundjavat dhe pushimet verore.
Drejtori i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës, Arben Alika, bëri të ditur se gjatë dy muajve të fundit janë regjistruar mbi 2 milionë hyrje-dalje, me një mesatare prej më shumë se 42 mijë personash në ditë.
Sipas tij, pjesa më e madhe e udhëtarëve janë shtetas të Kosovës. Për të përballuar fluksin e lartë, Policia Kufitare ka shtuar sportelet dhe numrin e efektivëve në të gjitha pikat e kalimit kufitar të qarkut, me fokus të veçantë në Pikën Kufitare të Morinës.
"Gjatë muajve maj dhe qershor janë përpunuar mbi 2 milionë hyrje-dalje, me një mesatare prej më shumë se 42 mijë personash në ditë. Pjesa dërrmuese e tyre janë shtetas të Kosovës", u shrpeh ai.
Vetëm gjatë katër orëve të para të kësaj të shtune, nga Morina kanë hyrë në Shqipëri 12.431 shtetas nga Kosova me 2.879 automjete dhe autobusë, duke e konfirmuar edhe një herë këtë pikë si portën kryesore të hyrjes së turistëve kosovarë drejt vendit.
Lini një Përgjigje