
Qytetarët janë mbledhur sërish këtë të hënë në Sheshin “Skënderbej”, duke shënuar ditën e 16-të të protestave. Pas grumbullimit në qendër të Tiranës, protestuesit shkojnë drejt godinës së Kryeministrisë dhe pasi mbajnë fjalime, marshojnë në rrugët kryesore të kryeqytetit.
Mes mijëra qytetarëve të pranishëm, një prej protestuesve ka ndarë për mediat historinë e tij personale, duke ngritur shqetësime për trajtimin e pacientëve që kryejnë dializë dhe kostot e larta që, sipas tij, duhet të përballojnë për mjekimin.
Në një prononcim për "News 24", ai akuzoi qeverinë për mënyrën se si po trajtohet rimbursimi i medikamenteve për pacientët kronikë.
“Edi Rama nuk udhëheq por sundon, ke ka kthyer parlamentin në Harrem. Jam këtu sepse jam pacient i dializës, nuk përballoj dot çmimin e gjilpërave pasi kam kembin 8000 lekë.
Ka rimbursuar ilaçin për vetëm 6 muaj për gjithë jetën. Kjo është maskaradë, është të tallesh. Për të vdekur jemi të gjithë, por jo të në vendosin këmbën”, deklaroi ai.
Protestuesi tha se vendimi për rimbursimin e ilaçeve vetëm për një periudhë të kufizuar kohore po krijon vështirësi të mëdha për pacientët që varen nga trajtimi i vazhdueshëm, ndërsa kërkoi më shumë mbështetje nga institucionet për kategoritë në nevojë.
Protesta e sotme është pjesë e mobilizimit qytetar që vijon prej 16 ditësh në Tiranë, ku pjesëmarrësit kanë ngritur shqetësime të ndryshme që lidhen me qeverisjen, çështjet sociale dhe ekonomike.

Lini një Përgjigje