Lexues të Pamfleti ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Festa e Kurban Bajramit/ Besimtarët falin namazin në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit'
Besimtarët muslimanë kremtojnë sot festën e Kurban Bajramit. Në Tiranë, besimtarët falën namazin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Kreu i KMSH-së, tha se njeriu ëhstë krijesa më e lartë dhe meriton që jeta dhe prona e tij të mbrohet.
Bujar Spahiu tha se sot besimtarët sot luten për shëndet, paqe dhe mirësi. Ai tha se sot besimtarët kudo në Botë hapin zemrat e tyre, ndërsa e cilësoi këtë ditë si symbol të sakrificës dhe sinqeritetit.
“Përcjellim paqe dhe mirësi dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë çdonjeri kudo në Botë sipas rregullave kombëtare dhe ndërkombëtare”, tha Spahiu. Sipas tij, kjo festë na mëson të largohemi nga urrejtja dhe indiferenca.
“Kurban Bajrami është festa që na mëson të largohemi nga egoizmi, urrejtja, padrejtësia dhe indiferenca ndaj njëri-tjetrit. Në këtë ditë të shenjtë, Allahu na kujton në Kuranin Famëlartë: ‘O ju njerëz, ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni me njëri-tjetrin. Më i miri te Allahu është ai që është më i devotshëm’. Ky ajet është një mesazh i madh për të gjithë: të jetojmë me respekt dhe me dinjitet ndaj njëri-tjetrit”, tha ai.
Ndërsa e cilësoi Kurban Bajramin si një nga festat më të rëndësishme të besimit islam, Spahiu tha se kjo është festa e sakrificës, e bindjes ndaj Zotit, solidaritetit dhe dashurisë për njeriun.
“Besimtarë të gjuhëve, kulturave dhe kombeve bashkohen në një adhurim të përbashkët, duke dëshmuar se feja jonë ndërtohet mbi paqen, respektin dhe vlerat njerëzore universale. Kjo festë na fton të reflektojmë më shumë për njëri-tjetrin, të jemi më pranë familjeve, të moshuarve dhe njerëzve në nevojë, jetimëve dhe çdo zemër që ka nevojë për mbështetje e shpresë”, thekson ai.
Ai nënvizon edhe rëndësinë që paraqet festa në një kohë kur bota përballet me sfida dhe konflikte të shumta.
Loja me Aeroportin e Vlorës/ Edi Ramës tenton t’i japë koncensionin Sinan Idrizit dhe izraelitit Ron Yeffet
Prej një jave janë bllokuar punimet në Aeroportin e Vlorës, për shkak se firma "2A Group" e Valon Ademit ka penguar hyrjen e punonjësve të firmës "Mabco" të Behgjet Pacollit.
Dy kompanitë ortake vazhdojnë të paraqesin arsyet e tyre për nisjen e konfliktit, duke ia lënë përgjegjësinë njëra- tjetrës, konflikt që ka përfunduar për zgjidhje në institucionet e drejtësisë.
Pas kaq ditësh bllokim punimesh, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri këtë deklarim publik: "Konflikti që po pengon punimet për përfundimin e aeroportit të Vlorës është mosmarrëveshje civile dhe kontraktore mes dy palëve private."
Por ministri Karakaçi nuk tha përse shteti, si autoritet kontraktor i Aeroportit të Vlorës, është bërë palë me kompaninë që ka bllokuar punimet, duke e mbështetur me forca të Policisë së Shtetit, në vend që të lejojë dhe garantojë përfundimin e punimeve sipas kontratës ligjore.
Qëndrimi i qeverisë në mbështetje të bllokimit të punimeve dhe dokumentet që disponon "Pamfleti" krijojnë dyshime se, tani që aeroporti është në fazën e përfundimit të punimeve, do t'i hiqet kompanisë së Behgjet Pacollit dhe do të kalojë në duart e dy miqve të Edi Ramës.
Ka indice se Aeroportin e Vlorës do ta marrin Sinan Idrizi dhe izraeliti Ron Yeffet, nëpërmjet kompanisë "MDN INVESTIMENT", prej 8 vitesh ortakë me 41% në kompaninë "Air Albania" që i ka dhënë çarterin kryeministrit Edi Rama.
E rëndë në Tiranë/ Gardisti vret veten me armën e shërbimit
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm kryeqytetin, ku një efektiv i Gardës së Republikës është gjetur i pajetë në banesën e tij. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se 42-vjeçari Albert Gadica i ka dhënë fund jetës duke u vetëqëlluar me armën e shërbimit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:05, në zonën e Rrugës së Dibrës, ku autoritetet kanë konstatuar pa shenja jete 42-vjeçarin, punonjës i Gardës së Republikës.
Burime paraprake bëjnë me dije se viktima është gjetur brenda banesës, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në këtë ngjarje të rëndë.
Kujtojmë se nuk është hera e parë që efektivë të forcave të sigurisë përdorin armën e shërbimit për të ndërmarrë akte të tilla të rënda, duke rikthyer edhe njëherë në vëmendje shqetësimet mbi gjendjen psikologjike dhe ngarkesën emocionale të punonjësve të uniformave blu dhe institucioneve të sigurisë.
“Ajo farë kriminale do të mbijë prapë”/ Karamuço: Call Center-at mashtrues po zhvendosen në Kosovë
Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço ka ngritur alarmin për zhvendosjen e call center-ave mashtrues nga Shqipëria drejt Kosovës, pasi goditjeve të autoriteteve shqiptare kundër këtyre strukturave.
I ftuar në Euronews Albania, Karamuço deklaroi se një pjesë e kompanive që funksiononin sipas modelit italian të mashtrimeve telefonike janë larguar nga Shqipëria dhe po riorganizohen në Kosovë.
“Çfarë ndodhi me ato call center-at e famshme, që ishin model italian? Kanë ikur në Kosovë. Ne i mbyllëm, por po i merr Kosova. Sepse ajo farë kriminale do të mbijë prapë. Problemi është te paratë. Disa prej tyre kanë sinjale shumë të forta”, deklaroi Karamuço.
Sipas ekspertit të kriminalistikës, grupet që qëndronin pas këtyre skemave mashtruese nuk janë zhdukur, por thjesht kanë ndryshuar territor për të vijuar aktivitetin e tyre.
Ai la të kuptohet se rrjetet kriminale që menaxhonin call center-at mashtrues vazhdojnë të kenë fuqi financiare dhe lidhje të forta, duke gjetur mënyra për t’u rikthyer në treg edhe pas operacioneve policore.
Call center-at mashtrues kanë qenë prej vitesh në fokus të autoriteteve shqiptare dhe të huaja, pasi akuzohen për mashtrime financiare ndaj qytetarëve europianë përmes investimeve false, bursave online dhe skemave të tjera të paligjshme.
Në vitet e fundit, SPAK dhe policia shqiptare kanë zhvilluar disa operacione të mëdha kundër këtyre rrjeteve, duke arrestuar dhjetëra persona dhe sekuestruar miliona euro. Megjithatë, deklaratat e Karamuços sugjerojnë se fenomeni nuk është zhdukur, por po zhvendoset në vende të tjera të rajonit.
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje