
“Juna” është kthyer në një qendër pazaresh dhe zyrë informale ku lidhen marrëveshjet më të errëta të pushtetit...
Shtesën në lokalin që shërben edhe si “zyrë pazaresh” e Olsi Ramës me ministra e drejtorë, bënë sikur nuk e panë as shefat e IKMT dhe as kryepolici Ilir Proda, megjithëse ndodhet te kryqëzimi i Librit Universitar, në një zonë ku u shembën 33 lokale për zaptim hapësirash publike.
Deputeti Erion Braçe disa herë ka mbështetur dhe përshëndetur aksionin e kryeministrit për lirimin e hapësirave publike nga zaptuesit, duke i quajtur ata “horra”. Por në këtë rast nuk ka reaguar, edhe pse lokali i mikut të tij Gaz Demi, Bar-Kafe “Juna”, ka shtesë mbi trotuar të ndërtuar pa leje dhe vazhdon i paprekur.
Braçe është klient i përhershëm i këtij lokali dhe, megjithëse futet nga dera e shtesës së zaptuar, nuk thotë asnjë fjalë për këtë rast flagrant që bie ndesh me barazinë para ligjit.
Edhe IKMT dhe Policia e Shtetit gjatë inspektimeve në terren, në mënyrë të çuditshme nuk e kanë evidentuar shkeljen, megjithëse ndodhet në qendër të Tiranës, aty ku me bujë dhe kamera u shembën hapësirat e tjera të zaptuara.
Thuhet se për të mos prekur shtesën e “Juna”-s ka ndërhyrë vetë Edi Rama, ose të paktën asnjë nga vartësit nuk guxon ta prekë, pasi lokali është i Gaz Demit dhe frekuentohet nga Olsi Rama, ministra dhe drejtorë qendrorë.
Për ta, “Juna” është kthyer në një qendër pazaresh dhe zyrë informale ku lidhen marrëveshjet më të errëta të pushtetit.
Nëse nuk ka pasur urdhër direkt nga kryeministri, ky është momenti që ai të veprojë, duke treguar se nuk ka standarde të dyfishta. Po ashtu, ky është rasti që Erion Braçe të tregojë nëse parimet e tij për barazi ligjore vlejnë edhe për miqtë e tij, apo mbeten thjesht propagandë në rrjetet sociale./Pamfleti
Lini një Përgjigje