Ndërsa Erion Braçe pyet Albin Kurtin për mashtrimin XUEX, skema është ndërtuar në Tiranë, zhvillohet ilegalisht në Shqipëri dhe është paralajmëruar me prova nga Pamfleti që 50 ditë më parë

Deputeti socialist Erion Braçe ka dalë sot me një reagim për skemën mashtruese XUEX/TXEX, e cila ka zhdukur paratë e qytetarëve dhe i ka bllokuar nga platformat, duke i çuar në një cikël të ri mashtrimi. Ai paralajmëron publikisht se kemi të bëjmë me një piramidë dixhitale dhe i bën thirrje qytetarëve të mos e hanë më gënjeshtrën. Deri këtu, gjithçka duket në rregull. Por pastaj, në një kthesë absurde, Braçe vendos të pyesë Albin Kurtin nëse di gjë për këtë histori.
Pyetja e zotit Brace për Albin Kurtin tingëllon më shumë si alibi se sa si shqetësim. Sepse mashtrimi nuk ka ndodhur në Prishtinë. Nuk është ndërtuar në Kosovë. Nuk janë qytetarët e Gjakovës apo Ferizajt ata që kanë rekrutuar njerëz në Telegram. Nuk janë ata që kanë ndërtuar faqe fantazmë, identitete fallco dhe premtime për makina falas e dreka me rimbursim. Gjithçka ka ndodhur në Tiranë. Me persona realë, të identifikueshëm. Me faqe që operojnë pa licencë dhe me viktima që banojnë në Divjakë, Lushnjë, Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Lezhë.
Si fillim, ku dhe kur e morët vesh ju zoti Braçe që shqiptarët po grabiten në një ’97 të dytë e më moderne? Sepse nëse keni lexuar Pamfletin, nuk duam të besojmë që keni heshtur gjithë këto 50 ditë. Me shumë gjasë, kur keni shkuar ndonjë fundjavë në Divjakë dhe keni kërkuar ndonjë gjedh të pjekur, banorët e zonës ju kanë treguar për qametin e gjëmën që u ka ndodhur, që bagëti për të ngrënë nuk u ka mbetur më sepse paratë kanë shkuar… aty ku edhe ju e dini tashmë.
Pamfleti ka botuar fjalë për fjalë gjithë këtë skemë. Me dokumente, me adresa, me prova, me emra dhe me strategjinë e manipulimit. E kemi thënë qartë: kjo nuk është një skemë kripto nga jashtë, por një operacion i ndërtuar në Tiranë. E kemi quajtur “qendra e krimit dixhital”. E kemi paralajmëruar si një “lavatriçe financiare që turpëron Shqipërinë”. E kemi denoncuar si një rrezik real dhe të organizuar. Dhe ndërkohë që ky rrjet rrjepte shqiptarët çdo ditë, ka heshtur Policia e Shtetit. Ka heshtur Krimi Ekonomik. Ka heshtur Krimi Kibernetik. Ka heshtur edhe Kryeministri. Dhe po ashtu ka heshtur edhe zoti Braçe bashkë me kolegët.
Pyetja e vërtetë nuk është nëse Albin Kurti di gjë. Pyetja është pse ka heshtur shteti shqiptar. Pse janë lejuar këto platforma të funksionojnë pa ndërhyrje, edhe pasi jane paralajmeruar nga Pamfleti. Pse viktimat janë lënë në mëshirën e Telegramit dhe euforisë kolektive me makina të premtuara e drekë të rimbursuar. Pse jemi katandisur në një vend ku mashtruesit operojnë si kompani të rregullta, ndërsa ata që paralajmërojnë shpallen “fake news”?
Braçe e përmend Kosovën sepse atje disa prej viktimave janë orientuar për të bërë “cash out” të USDT-së nëpërmjet individëve që merren me shkëmbime të pavarura në qytete si Prishtina apo Ferizaj. Ky aktivitet, ndonëse i paformalizuar, zhvillohet në mënyrë të hapur dhe të njohur në disa rrethana, si një realitet i toleruar për shkak të mungesës së rregullimit të plotë të tregut kripto. Por kjo është vetëm pjesa e fundit e zinxhirit, aty ku viktima përpiqet të nxjerrë të paktën diçka nga rrënojat e asaj që ka humbur. Sepse i gjithë operacioni është prodhuar në Shqipëri, dhe pikërisht në Tiranë ndodh po i njëjti proces “cash out”; por në mënyrë tërësisht ilegale, përmes tregtarëve të kriptomonedhës (OTC) që veprojnë në hije, pa licencë, pa mbikëqyrje, pa identifikim klienti, dhe jashtë çdo strukture kontrolli financiar. Ndryshe nga Kosova ku aktiviteti është i dukshëm, në Tiranë ndodh në mënyrë të fshehtë.
Zoti Braçe, nëse doni me të vërtetë të ndihmoni qytetarët që po mashtrohen në mes të ditës, ndaloni së bërë pyetje në drejtim të gabuar. Mos e kërkoni përgjigjen në Prishtinë, kur e dini fare mirë që Tirana është qendra. Të gjitha gjurmët çojnë këtu. Dhe heshtja që ka lejuar këtë krim, po ashtu, është prodhuar këtu. A di gjë ti Edi? Kjo do të ishte një pyetje më dinjitoze. /Pamfleti
Lini një Përgjigje